Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në kuvendin zgjedhor në Kërçovë tha se partia që drejton ka realizuar misionin kombëtar që shqiptarët të jenë zot në shtëpinë e tyre dhe jenë krenarë.

“Për të bëmat, programin e idealin që ne kemi realizuar, është një histori e tërë, dhe do të jetë shumë e mundimshme edhe për historianë, ku do të shkruhen libra të tërë.

Cka fituam ne. Ne fituam që të ndihemi zot në shtëpitë tona, ne vramë frikën dhe rritëm krenarinë e shqiptarëve. Ne jemi këta. Të arriturat tona i numëruan bashkëpunëtorët e mi. Si liridashës e luftëtarë që kemi qenë kemi ardhur në këtë pikë që stafeta të kalojë tek brezi i ri.

Ne si çlirimtarë nuk e marrim misionin të kryer dhe të mbyllur nëse nuk ndërtojmë gjenerata që do të marrin misionin tonë në shpatullat e tyre.”, theksoi Ahmeti. Sipas tij, angazhimin i tyre është për përgatitjen e gjeneratës së re dhe BDI-në për të çarë përpara drejt Evropës, NATO-s, më të përgatitur dhe më të organizuar, sepse pas tyre qëndrojnë një kapital i madh i këtij kombi.

Në kuvendin zgjedhor për kryetar të degës së BDI-së në Kërçovë u zgjodh Ardita Dani. Po ashtu në këtë kuvend u zgjodhën edhe anëtarët e kryesisë së degës. Në kuvendin në Kërçovë morën pjesë nënkryetari i BDI-së, Sadulla Duraku, sekretari organizativ Artan Grubi, kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari si dhe funksionarë të tjerë partiak.