Në Ambasadën amerikane në Shkup, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka zhvilluar takim të përbashkët pune me zëvendësambasadoren e SHBA­së në vend Mikaela Shvajzar Blum dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni Samuel Zhbogar.

Ahmeti, siç thuhet në kumtesën e BDI-­së, me bashkëbiseduesit ka biseduar rreth zhvillimeve në lidhje me formimin e qeverisë së re reformuese me ç’rast ka përsëritur që BDI është e përkushtuar tërësisht për t’i zbatuar reformat e kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar, integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian, marrëdhënie të mira ndëretnike, por edhe zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.

“Hapat e parë që do t’i ndërmerr shumica e re parlamentare janë zgjidhja e ngërçit me pushtetin lokal, si dhe shfuqizimi i testimit ekstern si dy çështje urgjente”, ka theksuar Ahmeti në takim.

Ai më tutje ka thënë se 16 vitet e fundit, sa është aktiv në suazat e BDI-së, “asnjëherë nuk ka pasur dëshpërim në qëndrimet miqësore dhe qëllimmira të komunitetit ndërkombëtarë” dhe në këtë kontekst ka kërkuar nga SHBA-ja dhe BE-ja që të ndihmojnë në integrimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Ndryshe, sot në selinë e LSDM-së, është mbajtur takimi i parë mes liderit të partisë dhe mandatarit Zoran Zaev me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, në suazat e bisedimeve për formimin e Qeverisë së re.