Dikur mbante pushkën në duar për të mbrojtur atdheun e saj, sot me fuqinë e fjalëve për të drejtën mundohet të bëjë më të mirën për të ardhmen e vendit.

Aida Dërguti, dikur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sot është e dhënë pas punës ekipore, gjithmonë e gatshme për të thithur njohuri të reja, duke ofruar gatishmëri për t’ju servuar miqve, kolegëve e shoqërisë në përgjithësi ndihmën e saj.

1477421_10202359372847434_1364821681_n

Asnjëherë nuk u ndal para pengesave që i kishte ofruar koha, përkundrazi gjithmonë vullnet-plotë ka ecur përpara, dhe vazhdon…

Punës ia ka kushtuar jetën, e ka cilësuar si gjë të palodhshme dhe duke mos e harruar faktin që është grua, nënë, asnjëherë nuk ka hedhur pas hapat që i ka nisur para.

Ajo, megjithatë, nuk e konsideron veten grua të karrierës, ngase përvoja e saj më e gjatë është si aktiviste në fusha të ndryshme. Sipas saj çdo angazhim i gruas nënkupton shtim të obligimeve të cilave nuk mund t’iu shmangen.

“Përveç obligimeve në vend të punës, shumicën e grave në Kosovë i pret dhe një orar i dytë i punës me angazhime rreth shtëpisë dhe fëmijëve. Rolet e trefishta të grave si nënë, amvise dhe e punësuar brenda një dite shpesh shkaktojnë edhe stres. Natyrisht, as unë nuk bëj përjashtim nga kjo kategori dhe ka ditë më të ngarkuara, kur asnjë planifikim i  përsosur nuk ndihmon që të zgjidhet situata. Sidoqoftë, e mira është se vështirësitë harrohen kur në fund sheh rezultate”, thotë Dërguti.

Thotë se përvoja e gjatë në punë e ka bërë më të fortë sot, sikur mbase edhe shumë vajza e gra të tjera te cilat kanë gjetur mbështetje tek ajo.

Si menaxhere e programit në Rrjetin e Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK), ofroi shumë për të forcuar trungun e gruas në shoqëri. Ajo përfaqësoi këtë shoqatë në aktivitete të ndryshme rajonale, koordinoi planifikimet brenda shoqatës dhe jashtë saj me qëllim të integritetit shoqëror.

563728_352753084834427_10246051_n

Punën e palodhshme e vazhdoi edhe në shoqatën e grave “Aureola” në Prishtinë, që ishte një sfidë tjetër për të. Kontributi i saj në këtë shoqatë ka dhënë fryte, madje ua ka ndryshuar realitetin shumë grave në nevojë. Planifikimi dhe përgatitja e raporteve javore dhe mujore gjatë kësaj kohe e kanë bërë Aidën një shtyllë të fortë në avancimin e rolit të gruas në shoqëri. Gjatë kësaj periudhe ajo ka përfaqësuar shoqatën në aktivitete të ndryshme, ka analizuar dhe proceduar shumë kërkesa nga qendrat grave në qytetet e ndryshme të Kosovës, ka mbështetur dhe mbikëqyrur zbatimin e të gjitha projekteve, po ashtu i ka finalizuar ato me ndihmën vullnetarëve përreth.

Gjatë punës së saj pesëvjeçare në OSBE, u përfshi në detyra e projekte të ndryshme të cilat kishin për qëllim funksionalizimin e shumë punëve administrative, hulumtuese, e që kërkonin përkushtim dhe ndjenjë pune.

Gjatë këtyre viteve i lindi dëshira të jetë aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e falë përkushtimit të madh në këtë subjekt politik, sot ka një rol mjaft të rëndësishëm, si nënkryetare e LVV-së.

307585_10151154618497000_2005774939_n

Më e përkushtuar se kurrë më parë, tani LVV-në nuk e sheh vetëm si një punë që duhet të mbarojë në orar fiks, por më tepër si një shtëpi të dytë.

Ajo në këtë lëvizje zëvendëson kryetarin e saj në të gjitha detyrat që kanë të bëjnë me çështjet e brendshme organizative dhe punët e jashtme, ka rolin e përfaqësueses për publik dhe media, dhe mbikëqyrë Sekretariatin për Gratë dhe vajzat aktiviste brenda lëvizjes.

562906_2881905658559_739250258_n

Me plot peripeci të mëdha jetësore prapa, frymëzimin më të madh e gjen në atë që ofron e nesërmja dhe jo qëllimisht thotë:

“Gjeneratat tona kanë kaluar nëpër ditë të vështira, duke filluar nga protestat, helmimet, përzëniet nga shkollat dhe vijimi i mësimeve në shtëpi private e deri te lufta. Dhe koha më e mirë e jetës sonë ka kaluar në përpjekje për liri.  Sot, Kosova ka nevojë për shtetndërtim, në mënyrë që të shmanget përsëritja e historisë.  Brezave të rinj ua kemi borxh që t’ua lëmë vendin në gjendje më të mirë sesa atë që e gjetëm dhe jetuam ne. Andaj inspirim për mua është e ardhmja”, është shprehur Dërguti.

Gratë janë shumë të rëndësishme në një shoqëri, Dërguti thotë se ato nuk guxojnë të injorohen për dy arsye: së pari ato përbëjnë gjysmën e popullsisë, që njëkohësisht është gjysma  e potencialit për zhvilliim. Arsyeja e dytë, sipas saj është se në duart e tyre qëndron e ardhmja e vendit, për faktin se ato merren me rritjen dhe edukimin e brezave të rinj dhe kjo e bën të ketë një rol përcaktues.

“Gjendja e një shoqërie mund të matet me pozitën e gruas që ka në shoqëri. Le të marrim dhe të bëjmë krahasime me vendet ku gruaja është e përfshirë në sferën publike apo me shkallën e arsimimit të grave. Po që se bëjmë krahasimin edhe me rajonin e Ballkanit në të sotmen dhe gjatë të kaluarës, mund të shohim dallimet. Rol kyç  këtu ka arsimimi i vajzave, grave dhe punësimi i tyre si hap i parë e deri te përfshirja në politikë dhe vendimmarrje, jo si përfaqësim formal përmes kuotës, por si përfaqësim substancial përmes ideve e programeve të caktuara”, vlerëson ajo.

Aida shton se ndryshimi dhe përmirësimi i pozitës së  grave mund të zgjidhet vetëm bashkërisht, duke e konsideruar si çështje që i përket të gjithëve pa përjashtim. Prandaj, në Lëvizjen Vetëvendosje!, thotë se nuk kanë forum të gruas e as të rinjve, sepse të gjitha problemet i diskutojnë dhe i zgjidhin bashkërisht.

“Hapësira brenda Lëvizjes Vetëvendosje! është hapësirë e barabartë për të gjithë e pa dallime, ku njerëzit vlerësohen nga aftësitë dhe kapacitetet e tyre individuale dhe nuk paragjykohen në bazë të gjinisë”, potencon Aida.

Mesazhi i saj për të gjitha gratë kosovare është: “Të gjitha nënat i kisha porositur që të kenë trajtim të barabartë ndaj fëmijëve të tyre pa dallim gjinie. Ky është hapi i parë që duhet të fillojë të ndryshojë brenda familjes”, përfundon ajo./jeta berisha/