Kriza e thellë politike që po zgjat tash më dy vite, ka filluar të ketë reflektim negative në ekonominë e vendit. Eksperti I ekonomisë, Abdylmenaf Bexheti, thotë se kriza ka një ndikim shumë të thellë në ekonomi  dhe nëse do vazhdoj që të mos gjendet një zgjidhje e caktuar, ndikimi vazhdon të jetë rritës dhe gjithnjë e më i ashpër. Sipas tij, edhe pse gjatë gjithë vitit 2016 ka pasur një rënie permanente të prodhimtarisë industriale, rezultatet kanë qenë pozitive. Ndërsa,  dy muajt e parë të vitit veç më ka rezultate negative.

“Janari dhe shkurti, shënojnë rezultate negative, pra kemi një prodhimtari industriale negative dhe nëse vazhdon edhe muajt në vijim ky proces, ndërsa pritshmëritë janë që të vazhdon sepse nuk  po shohim një perspektivë të zgjidhjes së krizës politike, sigurisht se gjendja do të vijë duke u përkeqësuar edhe më shumë. Kur gjithë kësaj do t’i jepet edhe një komponent tjetër e pritshmërive, aspekti i konsumit dhe abstenimi i një pjese të konsumit mesatar, mbi mesatar, deri në luksoz që në një mënyrë apo tjetër ka impakte fiskale dhe mbush buxhetin e shtetit, do të filloj ai rrethi vicioz i ekonomisë që do të multiplikohet dhe shumëfishohet aspekti i impaktit negativ në ekonomi”, ka thënë akademik Bexheti për TV SHENJA.

Ndërkohë, duke folur për krizën institucionale, se sa gjatë do të munden institucionet ta përballojnë, Bexheti tha se kjo nuk do të ishte aspak problematike për shtetet e konsoliduara, por në Maqedoni, ka politikanë që kanë prodhuar institucione të dobëta, jo kredibile, duke filluar nga presidenti, i cili, sipas tij, është aktori kryesor i shkaktimit të kësaj krize.

“Ne kur kemi një dorë të zgjatur të institucioneve në ekonomi, kur shteti është aktori kryesor në ekonomi, sepse ai është punëdhënësi më i madh, është punësuesi më i madh, ai është ushqyesi i subvencioneve më shumë se kush do tjetë dhe në një mënyrë ose tjetër ne kemi një etatizëm ekonomik të paparë. Pra, atëherë kur lëngon fuqia ekonomike dhe infuzioni ekonomik i shtetit, etatizmi bëhet edhe më i egër dhe më i keq. Dhe tani vijmë në situatë kur këto tendenca etatiste po e kapin në ngërç të thellë ekonominë, për shkak se dhëmbëzori që ka funksionuar 10 vite me infuzion të intevencionizmit ekonomik ai nuk funksionon”, ka shtuar ai.

Ai më tej ka shtuar se, statistikat zyrtare ekonomike tregojnë se viti 2016 ka shënuar rritje më të ulët ekonomike, ndërsa faktori më i madh negativ për këtë janë ulja e investimeve të huaja.

“Normalisht se këtu nuk do të pritni që të ketë interes një investitor për shkaqe të tregut dhe ta merr rriskun politik. Këtu tregu është lëre se i vogël në numër popullate dhe është i vogël edhe në aftësi blerëse dhe mbi gjithë këtë kur do ta jepni edhe arsyen e krizës politike dhe faktorit politik, çfarë do të jetë tërheqja e një investitori në rrethana siç janë shtetet tona të fragmentuara kështu”, ka deklaruar Abdylmenaf Bexheti, Ekpsert ekonomik.

Bexheti tha se faktori dominant që e shkatërrojnë investimin janë të natyrës politike dhe pastaj janë aspektet tjera ekonomike.

/SHENJA/