Ditëzia e 8 shtatorit 1944 dhe e vitit 1991

POLITIKA SHQIPTARE SYMBYLLUR PËRBALLË PLANEVE TË SHTETEVE FQINJE NDAJ MAQEDONISË

Data e njohur si dita e pavarësisë, 8 shtatori i Maqedonisë bullgare të Vanço Mihajllovit më 1944 dhe 8 shtatori i Kiro Gligorovit më 1991, janë e njëjta tragjikomedi e luajtur në kohë të ndryshme mbi fatin dhe të ardhmen e shqiptarëve dhe të banorëve vendës josllavë në këtë shtet.

Kjo është hapësira rreth të cilës sillet politika shqiptare për një shekull të tërë, pa përmendur në këtë rast ngjarje dhe personalitete, që ua nxinë fatin shqiptarëve në Maqedoni, me plane dhe marrëveshje të fshehta për interesa të huaja, që paturpësisht edhe të festojnë data të errëta të historisë, duke shkelur mbi të vërtetën, historinë, trashëgiminë kulturore, gjakun dhe varret e të parëve!

Nëse politika ka arritur t’ua mbyllë sytë bashkëqytetarëve të deklaruar si maqedonas, të cilët kanë pranuar nga padituria ta festojnë 8 shtatorin (jo një datë tjetër të mundshme për referendumin dhe shkëputjes së shtetit nga gërmadhat e ish-Jugosllavisë), si dita e pavarësisë së Maqedonisë demokratike, në datën e krijimit të Maqedonisë bullgare të Vanço Mihajllovit, ngjarje të cilat shqiptarët vendës i kanë kundërshtuar fuqishëm, pse edhe sot shqiptarët duhet t’i mbyllin sytë përballë këtij realiteti që u imponohet nga politika, pa koncept për të sotmen dhe pa vizion për të ardhmen?!

(5.IX.2020)