Pas pësimeve në gjashtë luftëra gjatë shekullit të 20-të, Serbia nuk ka më popull e fëmijë për një luftë të shtatë, meqë kjo luftë e re do të ishte fundi i këtij vendi. Kështu ka deklaruar akademiku serb, Dushan Kovaçeviq, raportojnë mediat e Beogradit.
Ai ka thënë se qëllimi i dialogut që zhvillojnë politikanët në emër të qytetarëve duhet të jetë pengimi i luftës në të cilën do të vriteshin fëmijët serbë.
Njëri nga intelektualët më të spikatur serb nuk ka mëdyshje sa i përket mbështetjes së thirrjes të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për një dialog të gjerë shoqëror për Kosovën.
Ai ka thënë se ka ndeshur në reaksione të mira kundruall propozimit që me rrugë paqësore të zgjidhen problemet ndërmjet serbëve dhe të shqiptarëve, citohet të ketë thënë akademiku Kovaçeviq.
Autori bashkëkohor më i shquar serb i dramave thirret në përvojën personale diplomatike nga periudha e shërbimit në Portugali si ambasador i Serbisë-Malit të Zi të dikurshëm dhe vlerëson se këtij apeli të Vuçiqit për dialog i ka “kontribuar” edhe presioni shtesë i bashkësisë ndërkombëtare.
Ai thotë se është i sigurt se pas 50 vjetëve të jetuara në shekullin e 20-të, Serbia kurrë nuk do të duhej të bënte luftë:
“Serbia sot është pa stabilitet ekonomik, me kufij të padefinuar, që po hapen në të gjitha anët. Sërish është hapur tregimi për kufirin me Kroacinë, që një ditë do të jetë shumë serioze, sepse kohë më parë është folur për shkëmbim territoresh. Do të duhej të bënim gjithçka që të mos biem pre për hyrje në luftë të re dhe që kjo të jetë vija e jonë e kuqe për dialogun rreth Kosovës brenda shoqërisë sonë”, citohet Kovaçeviq, transmeton Koha.net.
Ajo që kurrsesi s’po mund ta kuptojë, thotë, janë njerëzit të cilët sot në Beograd nxisin luftë.
“Mua me çohet leshi i kresë kur dëgjoj njerëz në Beograd që mbajnë kolltukë dhe thërrasin në çdo hap për mbrojtje të Serbisë. Ata që sot flasin kështu nuk mund të vrapojnë as 100 metra, duhet të hanë tri herë në ditë dhe të bëjnë gjumë dy herë brenda 24 orëve. Nëse do t’i gjente lufta pasdite, ata nuk do të mund të merrnin pjesë në të, meqë në atë kohë janë në gjumë. Ata nuk do të bëjnë luftë, por do të luftojnë fëmijët tanë. Këta që janë më të zëshmit në thirrjet e tyre për mbrojtjen e Serbisë nuk ka luftuar asnjëherë e as që do të luftojnë ndonjëherë”, thotë Kovaçeviq.
Sipas tij, politika e jashtme e Aleksandar Vuçiqit është zhvilluar sipas parimit të kompromisit pragmatik.
“Brenda dialogut tonë shoqëror ne duhet të propozojmë zgjidhje të tilla që kompromisi ndërmjet palës serbe e shqiptare do të çonte në një platformë në të cilën askush nuk do të ndihej si një humbës i madh. Jam i bindur se ai që dëshiron të bëhet fitimtar i madh nuk do të fitojë asgjë”, ka thënë Kovaçeviq.
Ndaj komenteve nga Shqipëria rreth nismës së presidentit serb, Kovaçeviq ka thënë: “Kam lexuar se si nga Shqipëria porosisin se e ardhmja e fëmijëve serbë e shqiptarë është në bisedime dhe se nuk duhet të ketë më luftëra. Populli shqiptar dëshiron bashkimin e territoreve në të cilat jeton, në një federatë ose konfederatë. Brenda 20 ose 30 vjetësh shqiptarët do të mund të jetonin në territorin më të madh me popullsinë më të madhe, nëse e krahasojmë me shtetet e tjera të Ballkanit. Nëse këtë tregim rreth Kosovës nuk e zgjidhim brenda pesë vjetësh, do ta zgjidhim brenda 10 ose 20 vjetësh me rrezikun e përhershëm latent që brenda natës të nis luftën. Mund ta marrim me mend se si dikush vret gjithë familjen e fqinjit, por ai që ai, ta themi, është me besim tjetër. E pastaj? Ja shkaku për luftë”.
Çfarëdo bisede e rëndë dhe e gjatë është më e mirë se, po e përsëris, çfarëdo luftë.
“E kishim atë luftën në të cilën u shkatërrua Jugosllavia. Mbi 100 mijë viktima dhe dy milionë njerëz të zhvendosur… Prandaj, kujt i duhet edhe ndonjë luftë tjetër? Ejani të jemi të mençur për ndryshime dhe që me bisedime e negociata të mbrojmë interesat tona”, ka thënë ai.
Ai ka rikujtuar se para saktësisht 100 vjetësh ushtarët serbë “u barrikaduan” në Frontin e Selanikut dhe pritën të bëjnë depërtimin drejt Serbisë.
“Gjatë atij depërtimi, sipas të cilit u ngrit miti se këmbësoria serbe kishte vrapuar më shpejt se kavaleria franceze, vdiqën 50 mijë njerëz. Lufta e Parë Botërore ishte fitore e madhe e Serbisë ndaj Austro-Hungarisë… Atëherë okupatori kreu gjenocid në Serbi… Brezi im dhe brezi i fëmijëve të mi janë strehuar nëpër bodrume gjatë bombardimeve më 1999. Sot në gjeostrategjikë që kemi, ne praktikisht e kemi lakun në fyt dhe është çështje nëse dikush do të na heq karrigen nën këmbë”, shprehet Kovaçeviq.
Ai ka përmendur se dy herë është kryer gjenocid i rëndë ndaj serbëve.
“Për këtë askush nuk flet, meqë gjenocidi juridikisht është përkufizuar më 1952. Kjo është logjika e gjithë asaj që ka ndodhur deri atëherë sikur nuk ka ndodhur. Tani na akuzojnë neve për gjenocid, pas asgjësimit të një të tretës së popullit në Luftën e Parë Botërore dhe gati një milion të tjerëve në Luftën e Dytë”, ka mbështetur pikëpamjen akademiku Kovaçeviq se Serbia nuk ka më fëmijë për luftë të re.