Kthimi i mundshëm nga fillimi i gjykimit për aksidentin fatal në Llaskarcë i revolton pasagjerët që i mbijetuan aksidentit me autobusin e “Durmo Toursit”. Ndonëse kanë kaluar tre vjet nga aksidenti, ata ende i vuajnë pasojat, shkruan Alsat.

Kanë kaluar 90 ditë prej kur nuk ka pasur asnjë gjykim për rastin. Në një situatë të tillë, Kodi i Procedurës Penale parashikon që gjykimi të rifillojë.

Neni 371 paragrafi 3 i Ligjit për Procedurë Penale

“… Pas marrjes në pyetje të palëve, gjykatësi, përkatësisht Këshilli, mund të vendosë që të mos dëgjohen sërish dëshmitarët dhe ekspertët, por të lexohen deklaratat e tyre të shënuara në procesverbalin e seancës së mëparshme kryesore”.

Ky është epilogu i rastit “Llaskarca” për momentin, për shkak të super-ekspertizës që ende nuk është kryer. Kjo duhet t’i përgjigjet pyetjes se përse u aksidentua autobusi i Durmo Tursit. Gjykata kërkoi ekspertizë shtesë pas paraqitjes së tri ekspertizave të ndryshme.

Në rastin “Llaskarca” gjykohen pronari i “Durmo Toursit”, Durmish Beluli, shoferi Manoil Trifunovski dhe katër punëtorë të tjerë të punësuar në kompanitë e Belulit. Mes tyre është edhe Qendra Teknike, ku është kontrolluar autobusi. Të gjithë mbrohen në liri. Më 13 shkurt 2019, autobusi i “Durmo Tursit” u rrokullis në afërsi të fshatit Llaskarcë në magjistralen Shkup – Tetovë. Gjashtëmbëdhjetë pasagjerë humbën jetën, ndërsa rreth 30 u lënduan./Alsat.mk