Në librin e Mahi Nesimit “Shqiptarët e Maqedonisë dhe ardhmëria e shtetit” të botuar vitin e kaluar është prezantuar edhe tabela e aktivitetit të deputetëve shqiptarë në punimet e parlamentit të R. M. V. Nga tabela konstatohet se brenda 10 viteve (2006-2016) që pasqyron periudhën e analizuar, Ali Ahmeti gjendet në mesin e deputetëve më të paregulltë.
Nga 1.170 seancat plenare të mbajtura gjatë kësaj kohe, lideri i BDI-së ka qenë prezent vetëm në 61, ndërkaq ka munguar në 1.109 resektivisht 94.78 për qind. Njëherit vërehet se brenda 10 viteve Ali Ahmeti ka diskutuar vetëm një herë dhe nuk ka parashtruar asnjë pyetje deputetësh.
Sa i përket angazhimit të Zijadin Selës në parlament, sipas të dhënave gjatë kohës që ai e ka ushtruar postin e deputetit janë mbajtur 229 seanca plenare kurse Sela ka munguar vetëm në 15 ose 6.55 për qind të tyre. Ai ka diskutuar 34 herë ndërsa ka parashtruar edhe 19 pyetje deputetësh.
Gjatë kohës së analizuar numri i deputetëve shqiptarë në parlament ka qenë 77 prej të cilëve 20 ose 25.97 për qind femra. Si deputetë shqiptarë me stazh më të gjatë (gjashtë mandate) që nga zgjedhjet e para shumëpartiake renditen: Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi. Ndërkaq me pesë mandate është Xhevat Ademi. Pra, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi në këto zgjjedhje garojnë për mandatin e shtatë.