Pas procedurës së kryer hetuese, Prokuroria Themelore Publike Shkup deri te Gjykata Themelore Penale Shkup ngriti akuzë kundër një shtetasi kosovar për shkak të futjes së drogës në burgun Idrizovë.

I akuzuari, më 31 janar, në hapësirat e Institucionit Ndëshkues – Korrektues “Idrizovë’ në Shkup, gjatë një vizite të rregullt të personit të dënuar, pa autorizim kishte lëshuar për qarkullim drogë narkotike – kokainë me masë neto prej 89,96 gramë.

Siç bëri të ditur Prokuroria Publike, gjatë hyrjes në institucion, i akuzuari nëpunësit të policisë i ka dhënë një pako të dedikuar për personin e dënuar, në të cilën ka pasur edhe një xhup. Pas kontrollit të bërë të pakos, në xhepin e brendshëm të xhupit, në një paketim prej qeseje të mbështjellë me ngjitës, ishte gjetur drogë narkotike – kokainë.

Prokurori kompetent deri te Gjykata ka dorëzuar edhe propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit për personin e akuzuar, duke pasur parasysh atë që edhe më tutje ekziston rrezik nga arratia dhe mundësia që ai ta përsëris veprën për të cilën ngarkohet.