Dekanati i Fakultetit Filologjik pranë UKIM pranon se katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe funksionon me vështirësi për shkak të mungesës së kuadrit. Përmes një përgjigje me shkrim, nga dekanati thonë se kanë kërkuar që kjo gjendje të përmirësohet përmes punësimit të profesorëve të rinj por një gjë të tillë nuk ia ka lejuar ministria e Arsimit dhe ajo e Financave.

“Është e vërtetë se në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe nuk ka kuadër të mjaftueshëm dhe për këtë arsye mësimi zhvillohet me vështirësi. Ne si Fakultet deri më tani kemi ndërmarrë disa iniciativa dhe u jemi drejtuar Ministrive përkatëse (Arsimit dhe Financave) për të përmirësuar këtë gjendje, por përgjigjet ndaj kërkesave tona deri më sot kanë qenë negative”, thanë nga Universiteti Kirili dhe Metodi.

Një pjesë profesorëve thonë se mos plotësimi i kuadrit të profesorëve ka të bëjë me tentativat për mbylljen e katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

“Sikur duan të mos e bëjnë punën ashtu si duhet, aq më tepër kur është puna për arsimin shqip gjithmonë ka pasur ndër këmbëza. Nuk është ajo kohë e diferencimit që ka qenë në kohën e komunizmit, kur shumë arsimtarë u larguan, sa mësues u larguan, sa njerëz të mirë u larguan sa shkolla mbetën pa kuadro, ato ishin të Komunizmit por sikur ka ende frymë të asaj kohe te disa njerëz që thonë le ta dëmtojmë edhe pak sa mundemi. Përse të mos zgjidhet kuadri?”, tha Haki Ymeri, profesor në pension.

Profesori Asllan Hamiti i cili aktualisht ligjëron në këtë katedër thotë se kjo gjendje pengon në përgatitjen profesionale të studentëve.

“Në mungesë të tyre ne përpiqemi të gjejmë njëfarë zgjidhje për mbulimin e këtyre orëve dhe me një mbingarkesë tonën. Fondi I orëve të profesorëve është 8 orë, ndërsa ne kemi zakonisht nga 14 orë dhe kjo ndikon në uljen e cilësisë në mbajtjen e mësimit tek ne së pari dhe e dyta në stërngarkimin tonë. Dhe e treta pastaj, pak na mbetet kohë apo aspak, për tu marr me hulumtime tjera në fushat tona të specializuara ose pjesëmarrjen në konferenca”, deklaroi Asllan Hamiti, Profesor Universitar.

Një ditë më parë Ministri i Arsimit Pishtar Lutfiu tha për Alsat M se gjitha procedurat e nevojshme ky dikaster i ka mbaruar dhe se dokumentet ndodhen në Financa. Nga atje thanë se në periudhën parazgjedhore është e pamundur të punësojnë.