Sead Zimeri

Albini mbrëmë tha që do të kemi treg të lirë në ekonomi, dhe kjo mund të duket e pabesueshme kur vjen nga një lider i majtë sepse historikisht e majta politike nuk ka besuar shumë në treg të lirë. Prandaj kjo thënie e Albinit mund të duket ose koncesion ose cinizëm apo, kjo më e keqja, që ai më nuk është i majtë. Besoj që as njëra dhe as tjetra nuk janë arsyet pse Albini beson në treg të lirë. Arsyeja është shumë më e rëndomtë: nuk mund të bëhet ekonomi pa treg të lirë sot dhe kjo tregon që Albini nuk është ndonjë idealist radikal i majtë që dëshiron ta minojë kapitalizmin dhe tregun e lirë, por politikan që e kupton kompleksitetin e ndërlidhjes së ekonomisë, tregut të lirë, kapitalizmit, demokracisë dhe të drejtave qytetare. Ai e kupton fare mirë që tregut nuk mund t’i shmangeni, madje që një shmangje e tillë është katastrofale për ekonominë dhe për mirëqenien e qytetarëve.

Në vijim do ta shpjegoj pak më gjatë këtë kompleksitet jo për ta arsyetuar Albinin por për të hedhur dritë pak më të madhe mbi këtë kompleksitet.

Të majtët, sidomos ata radikalë, kanë qenë parimisht skeptikë ndaj tregut të lirë, dhe arsyet nuk kanë qenë pallavra ideologjike por përfundime logjike të domosdoshme të bazuara në vështrime empirike. Të majtët e kanë të vështirë të besojnë në treg të lirë sepse tregu nuk është i lirë. Liria e tregut është mit. Kjo është një tezë që megjithatë mbetet e hapur për diskutim, por edhe nëse e pranojmë që tregu është i lirë në kuptimin që askush nuk e përcakton drejtimin apo nuk e kontrollon atë përmes kontrollit të çmimeve e tarifave të ndryshme, është një fakt tjetër që hedh dyshim mbi lirinë e tregut. Është ajo që quhet monopolizim i tregut të lirë: ai që është më i fortë dhe më i suksesshëm shtyn jashtë tregut të gjithë kompetitorët e tij më të vegjël, më pak të suksesshëm, konkurrentët vendas që nuk munden dhe nuk arrijnë dot t’i bëjnë sfidë korporatave të mëdha globale. Edhe nëse presupozojmë tregun e lirë si pikënisje, në realitet tregu i lirë shpejt kthehet në treg jo të lirë, në monopolizimin e tij nga ata që janë më të suksesshëm dhe, rrjedhimisht, më të fortë. Këtu për të majtët hapet mundësia e ndërhyrjes politike në treg, jo detyrimisht për ta bërë tregun jo të lirë por sepse liria e tregut pa mbykqyrje të këtillë politike shndërrohet në të kundërtën e tij, në joliri të tregut, por edhe sepse monopolizimi i tregut kërcënon liritë demokratike. Një treg i monopolizuar nuk është i lirë.

Monopolizimi i tregut është arsyeja pse të majtët kërkojnë që ose ta fshijnë nga fjalori i tyre konceptin e tregut të lirë si një lloj fetishi që nuk ka vend në realitet ose ta rregullojnë atë përmes ndërhyrjeve politike dhe ligjore, për shembull duke bërë ligje që ndalojnë legalizimin e monopolizimit të tregut. Unë nuk besoj format e këtilla të ndërhyrjes janë të drejta sepse janë forma indirekte të dënimit të suksesit. Dmth, ndërmarrësi, kapitalisti, dënohet sepse ai është i suksesshëm. Kjo nuk mund të jetë e drejtë. Por jo çdo formë e ndërhyrjes në ekonomi është e padrejtë: për shembull, një shtet që dëshiron të ruaj prodhimet vendore, mund ta bëjë këtë përmes subvencioneve dhe ndihmave tjera që i mundësojnë konkurrentëve vendorë të konkurrojë në tregun vendor. Edhe kjo është ndërhyrje në tregun e lirë, në këtë rast është e domosdoshme, por modaliteti i ndërhyrjes së këtillë është i ndryshëm nga ai i mësipërm apo nga ndërhyrja totale e shtetit duke u bërë vetë monopolizues i tregut. Historinë e kësaj të fundit e dimë mirë se ku përfundoi: në varfëri të skajshme dhe marrjen e të drejtave qenësore të qytetarëve, prandaj kjo më nuk mund të mirret seriozisht si alternativë e mirë për rregullimin e tregut.

Monopolizimi i tregut është problem shumë i madh dhe shumë serioz sepse ia merr tregut lirinë. Është paradoksi i tregut të lirë : liria e plotë çon në monopolizim e tregut kurse rregullimi i tij çon në kufizimin (apo edhe heqjen e plotë) e lirisë së tregut, që detyrimisht, siç e thash më lartë, ndëshkon ndërmarrësin për suksesin e tij. Të dyja zgjedhjet përfundojnë në të njëjtin vend: treg jo të lirë. Prandaj zgjidhja nuk është mes tregut të lirë dhe atij jo të lirë, por mes dy formave, dy modaliteteve, të jolirisë së tregut.

Këtu lind nevoja për kompromis për ta ruajtur lirinë, tani më të kufizuar, të tregut dhe të qytetarit. Monopolizimi nuk është vetëm kundër lirisë së tregut, por kundër disa parimeve tjera morale dhe politike demokratike. Kur një kompani e madhe monopolizon tregun në sferë të caktuar ajo permes tregut ndikon zgjedhjet e konsumatoreve si qytetarë, krijon probleme që nuk u ofron zgjidhje, sepse nuk është problemi i saj. Krijohet deficit demokratik: vendime shume të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve mirren nga korporata jashtë kontrollit demokratik. Këtu lind përplasja mes lirisë set tregut dhe lirisë demokratike: kapitalisti dëshiron të jetë plotësisht i lirë në treg sepse përndryshe nuk ka kuptim të flasim për treg të lirë. Por sipas koncepcionit demokratik të lirisë, liria e kapitalistit në shumë aspekte pamundëson lirinë e qytetarit në vendimmarrje dhe mbikqyrje të autoritetit që merr vendime jetike për të. Monopolizimi i tregut kërcënon lirinë demokratike për t’i mbajtur përgjegjës politikanēt por edhe lirinë moral që shkakton tkurrjen e autonomose dhe kontrollit mbi vendimet tona personale.

Problemi është si mundemi ta mbajmë këtë ekuilibrium? Vendosja e taksave duket të jetë alternativa e vetme që e ruan këtë ekuilibrium. Pa treg të lirë ska përparim dhe zhvillim ekonomik, prandaj tregu i lirë është i domosdoshëm; njëkohësisht tregu i lirë çon në pabarazi aq të mëdha saqë pamundësojnë ushtrimin e lirisë demokratike të qytetareve.

Mendoj qe Albini këtë ka ndërmend kur flet per tregun e lirë: liria e tregut nuk do të cënohet në asnjë formë që është e padrejtë, që ndëshkon ndërmarrësit për sukseset e tyre, por ata megjithatë do të paguajnë tatime më të larta, tatime progresive, si kompenzim për kufizimin e lirive demokratike të qytetarëve. Albini pra ofron zgjidhje tërësisht liberale të tregut të lirë.

Postimi në Facebook mund ta lexoni KËTU!