Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një intervistë për të përditshmen evropiane Politico ka folur për ngjarjet më të fundit në Kosovë, duke veçuar hedhjen e gazit në parlamentin e Kosovës, nga tri partitë opozitare në Kosovë, VV, AAk dhe Nisma.

Duke përshkruar Albin Kurtin si një gjemb për shumë periudha historike të Kosovës, Politico e ka përshkruar atë si kritik të madh për vendime të ndryshme për shtetin e Kosovës, duke filluar nga protestat e studentëve në vitet e 90-ta, e deri tek problemet me të cilat Kosova përballet 8 vite pas shpalljes së Pavarësisë nga Serbia.

Kurti ka thënë se bllokimi i punës në Parlamentin e Kosovës, e ka bërë atë krenar pasi që sipas  tij marrëveshjet me BE, janë hapa kundër normalizimit dhe do të ishte kapitullim i një fuqie imperialiste, pasi që për Kurtin ajo është një fuqi e cila është përpjekur vazhdimisht për të ndarë Kosovën në dy pjesë.

I pyetur se  a është lodhur Kosova nga dhuna dhe urrejtja, Kurti ka thënë se “protestat e qeta nuk të çojnë askund, sidomos në rastin tonë, ku njerëzit po protestojnë kundër qeverisë autokratike me pushtet që është i mbështetur në diplomacinë ndërkombëtare. Çdo demonstratë e qetë vetëm do të kthehet në një karnaval e qeveria do të bëjë shaka me të”. /Indeksonline/