Aleanca Kuq e Zi ka reaguar përmes një komunikate për media ku thuhet se ndjeket me shqetësim të madh zhvillimet e fundit politike në Maqedoni. Ne jemi thellësisht të habitur nga qëndrimi fashist i presidentit maqedon Ivanov që në këto momente politike përfaqëson pakicën.          

“BE ka qenë garante e marrëveshjes së Ohrit ndaj duhet të dënohet ashpër shkelja e rëndë kushtetuese dhe e të drejtave të njeriut që po i bëhet popullit shtetformues shqiptar që banon në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Aleanca KuqeZi i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë me urgjencë për të shmangur konfliktin eventual. Nxitja e urrjetjes ndëretnike e organizuar nga Gruevski-Ivanov bashkëjetesën dhe egzistencën e Maqedonisë si entitet shtetëror. Mosmandatimi i Zoran Zaev është jo vetëm një problem i brëndshëm i shtetit. Nga ana tjetër Aleanca KuqeZi kujton se implementimi i dygjuhësisë në Europë është ndër aktet më normale dhe demokratike. Shëmbulli më i vjetër ai i Zvicrës e ai më i ri i Kosovës. Kjo krizë e inskenuar bëhet vetëm për të defaktorizuar më tej popullatën dhe përfaqësimin politik të shqiptarëve. Tirana zyrtare nuk duhet dhe nuk mund të rri duarkryq ndërkohë që presidenti i një vendi me 40% shqiptarë pranon publikisht se është politikë shtetërore degradimi social ekonomik i bashkëkombasve tanë. Ne duam t’i bëjmë me dije Zaevit, Gruevskit, Ivanovit dhe kujtdo tjetër që Shqiptarët në Maqedoni janë shtetformues dhe garantorë të mosndarjes së shtetit. Aleanca KuqeZi i bënë thirrje partive politike shqiptare të qëndrojnë të bashkuara dhe të mos lëvizin nga kushti i dy gjuhësisë. 

Aleanca KuqeZi dëshiron ti japë mesazhin çdo shqiptari që banon në Maqedoni se në çdo lloj provokimi do të ketë mbështetjen e të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës e më gjerë”, thuhet në reagimin e Aleanca KuqeZi./BS