Nga “Aleanca për shqiptarët” thonë se kjo lojë e dyfishtë e KSHZ dhe Agjencia për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele është një tendencë për ta kthyer vëmendjen te partitë në pushtet që janë zhytur në krim e korrupsion, andaj dhe ky sabotim vjen në kohën më të vështirë të tyre.

“Aleanca për shqiptarët” ka akuzuar ashpër Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe Agjencinë për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele se përmes urdhërave të partive në pushtet po e diskriminojnë koalicionin politik të shqiptarëve, duke u pamundësuar qasjen e lirë të programeve të paguara politike deri tek votuesit e tyre. Kjo lojë e dyfishtë e tyre, siç thonë nga ky koalicion, se kjo pengesë është një mekanizëm i qartë dhe i paramenduar mirë, se partitë në pushtet BDI dhe VMRO-DPMNE janë në panik ndaj politikave kombëtare të këtij koalicioni për shqiptarët. Pavarësisht këtij bllokimi për të qenë të pranishëm në media, qytetarët do të dijnë të zgjedhin opcionin e merituar  të programit politik të “Aleancës për Shqiptarët”.

“Në kundërshtim me ligjin dhe me parime të dyfishta, ata kanë bllokuar vetëm “Aleancën për shqiptarët” që të jenë të pranishëm në media. Ne kemi marrëveshje me një media që të publikojmë spotet tona publicitare. Por, me urdhër të drejtpërdrejtë të KSHZ-së dhe Agjencisë për media është ndaluar që “Aleanca për shqiptarët” të ketë qasje te qytetarët me arsyetimin se qenkemi parti jashtëparlamentare. Ndërkohë, siç i keni ndjekur mediumet, ka një parti jashtëparlamentare që është shumë prezente në media përmes spoteve publicitare dhe është opozitare apo jo do të tregojë koha…Unë jam prezent këtu me deputetin, Zulfi Adili. Ne jemi koalicion që kemi edhe një deputet në kuadrin tonë dhe na takon ai 10% i partive që janë të përfaqësuara në parlament, siç i mundësohet edhe Pavle Trajanovit të jetë prezent pa u penguar nga KSHZ apo Agjencia për media. Duam t’u bëjmë me dije se nuk mund të na ndalin, dhe se do të shkojmë derë më derë që të bisedojmë me qytetarët. është më se e qartë se kjo gjë është bërë me urdhër të BDI-së dhe VMRO-së, pra qeverisë dhe se një gjë duhet ta dinë se ata i ka kap paniku dhe së shpejti u vjen fundi” ,- deklaroi Ziadin Sela nga Koalicioni “Aleanca për shqiptarët”.

© fol.mk