Një njeri i dyshuar për korrupsion, duhet të përndiqet penalisht derisa fajësia apo pafajësia e tij të dëshmohet! Në rastin e ish zëvendës ministrit të shëndetësisë nga radhët e BDI-së, Asim Musa nuk ka vend për dyshime pasi që përfshirja e tij në korrupsion dëshmohet me anë të një videoje, si dhe vet personalisht nga Asim Musa.

Kjo qeveri e udhëhequr nga LSDM-BDI lëre se të gjitha këto fakte i ka anashkaluar, por z. Musa as që është përgjigjur ndonjëherë para organeve të gjyqësisë për një vepër penale siç është pranimi i ryshfetit i cili sipas Kodit Penal të vendit tonë dënohet me ligj!

Vetë kryeministri Zaev është munduar edhe ta fsheh edhe ta arsyetoj veprimin e Asim Musës, me anë të lajmeve të rreme që ai shpërndante, dhe sikur e gjithë kjo të mos mjaftonte i njëjti person kuadër i BDI-së tani është punësuar në Klinikën e Urologjisë në Shkup!

Aleanca për Shqiptarët reagon ashpër ndaj këtij vendimi, që po i njëjti person që kërkon dhe pranon ryshfet, do të vazhdojë i lirë të ushtrojë profesionin e tij “pranim-kërkimin” e ryshfetit në Klinikën e Urologjisë në Shkup.

Aleanca për Shqiptarët disa here ka reaguar dhe ka kërkuar që ky ish zëvendës ministër i korruptuar të ndiqet penalisht dhe të përgjigjet për keqpërdorimin e pozitës zyrtare!

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë të marrin shërbime mjekësore nga njerëz profesionistë rroga e të cilëve jepet nga taksat që vetë qytetarët i paguajnë, dhe jo nga çmimet marramendëse që njerëz të korruptuar ua kërkojnë në këmbim të shërbimeve që ligjërisht janë të detyruar t’ua japin!

Kujtojmë se, lajmin e rremë që kryeministri Zaev dha në kuvendin e RMV-së gjatë debatit për emërimin e zv.ministrit të ri të shëndetësisë, se kinse shtëpia mediatike Top Channel i ka kërkuar falje Asim Musës nuk është i vërtetë. Madje, një gjë e tillë është mohuar nga po kjo shtëpi mediatke, dhe për më tepër ata kanë vazhduar të satirizojnë rastin.

Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të reagojë deri sa drejtësia të gjejë vendin!

Aleanca për Shqiptarët