Ftojmë të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e Aleancës për Shqiptarët Tetovë, që në mënyrë masovike t’i bashkëngjiten protestës kundër Kazinove që organizohet ditën e Premte, nga Bashkësia Lokale e Reçicës së Vogël. Kazinot tani më janë bërë prezentë në çdo pjesë të qytetit tonë dhe janë shndërruar në element destruktiv që po shkatërrojnë Tetovarët, në veçanti rininë tetovare.
Ky degjenerim vjen edhe si pasojë e Ligjit Ekzistues për Lojra Fati I cili po mundëson hapjen e tyre duke menduar vetëm aspektin përfitues të pronarëve të tyre dhe jo pasojat për qytetarët të cilat tani më janë alarmante. Qyteti i Tetovës, apo qyteti I dy Universiteteve sot fatkeqësisht e ka humbur këtë epitetet dhe sot quhet qyteti i Kazinove. Kazinot sot përbëjnë rrezik real për të gjithë qytetarët dhe moshat e tyre. Në mënyrë të pamëshirshme Kazinot sot rrjepin xhepat e qytetarëve edhe ashtu të varfër të cilët shpeshherë edhe nga gjendja e vështire ekonomike janë detyruar te bëhen klient të Kazinove dhe Lojrave të ndryshme të fatit.
Bëjmë thirrje Qeverisë së LSDM dhe BDI që urgjentisht të ndërmarr masa për ta luftuar këtë fenomen shkatërrues, duke vendosur standarde si dhe për të mbajtur llogari për aspektin socio-ekonomik të qytetarëve dhe jo vetëm për të përfituar pronarët e Kazinove të cilët shpeshherë kanë lidhje të ngushta me pushtetarët.