Aleanca për Shqiptarët  ka  reaguar  ndaj gjuhës së përdorur nga ana liderit të VMRO-DPMNE-së para protestuesve të kësaj partie që vazhdojnë ti bëjnë trysni KSHZ-së për disa ditë me rradhë. Në reagimin e Alencës  thuhet:  “Gjuha e përdorur nga subjekte të caktuara politike ndaj miqve tanë ndërkombëtarë, për Aleancën për Shqiptarët është e patolerueshme. Trysnia që VMRO-DPMNE po e bën ndaj institucioneve të shtetit, në këtë rast KSHZ-së, që të pengojë punën e pavarur të saj rreth rrumbullakësimit të procesit dhe rezultateve zgjedhore, nuk mund ta zbeh dot vullnetin e qytetarëve të shprehur më 11 Dhjetor. Dënojmë ashpër çdo tentim për pengimin e punës së KSHZ-së dhe të gjitha fyerjeve dhe brohoritjeve raciste dhe shoviniste që bëhen në drejtim të tyre dhe popullit shqiptar nga po këta njerëz. Thellësisht jemi të bindur se rruga e vetme e Republikës së Maqedonisë eshtë ajo drejt Perëndimit, integrimit në NATO dhe BE, bashkë me shtetet tjera të kësaj familjeje europiane. Prandaj, fjalori i përdorur i Nikolla Gruevskit në bisedat me përfaqësuesit ndërkombëtar, sidomos ndaj Ambasadorit të SHBA-ve dhe atij të BE-së, janë fyerje ndaj miqve tanë të kahmotshëm perëndimor. Tentimi që të ofrohet destabilizim i vendit, për qëllime të ngushta partiake paraqet rrugën më të keqe të demokracisë. Bëjmë thirrje tek të gjithë faktorët politik në vend, që t’iu shmangen deklaratave populiste dhe konflikt-nxitëse dhe të mos pengohet puna e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, që në mënyrë të pavarur të japin rezultatin e verdiktit të qytetarëve, të shprehur me votë më 11 Dhjetor, thuhet në fund të reagimit të Aleancës për Shqiptarët drejtuar mediave.