Sonte Aleanca për Shqiptarët, shpalosi platformën  e saj zgjedhore  para  banorëve të fshatit Kranje të Prespës.  Nikoqiri i këtij takimi , u dëshirojë mirëseardhje krerëve të Aleancës  z. Ziadin Sela kryetar i LR-PDSH-së si dhe bartësve  të listës në njësinë e pestë zgjedhore Syrja Rashidit dhe Remzi Mehmedit, poashtu falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e  tyre dhe ndër të tjera tha: ”Ne duhet ta ndëshkojmë tandemin BDI-VMRO. Aleanca për Shqiptarët është e denjë për shqiptarët. Shpresoj që ta shëndrrojmë aleancën në lëvizje të madhe për shqiptarët”. Në këtë takim fjalë rasti mbajtën edhe dy kandidatët që përfaqësojnë Aleancën për Shqiptarët në këtë zonë. Në fjalimin e tij Remzi Mehmedi vuri theksin te bashkimi i  tre subjekteve politike  dhe tha se : ”Ne Jemi përpjekur të bëjmë bashkë të gjitha forcat progresive shqiptare, që janë të pakënaqura nga regjimi i deritanishëm. Në emër të kësaj aleance, që është e para e këtij lloji ku bashkohen shqiptarët ju ftoj të gjithëve që ta mbështesni për një barazi të plotë midis dy etnive dhe njëherë e përgjithmonë ne shqiptarët të mos llogaritemi numra, por një popull shtet-formues”.  Në këtë takim foli edhe  bartësi i listës në zonën e pestë  zgjedhore Syrja Rashidi  i cili tha: ”Unë jam kandidat së bashku me Remzi Mehmedin në zonën e cila është tepër specifike për shqiptarët. Ju si banorë të kësaj zone jeni të nënshtruar nga të dy pushtetet. Pra edhe nga pushteti qendror , por edhe nga pushteti lokal. E pra kjo ka qenë një nga arsyet që ne nisëm Lëvizjen për Reforma dhe Aleancën për Shqiptarët, për një barazi të plotë të shqiptarëve. Ne besojmë se vetëm si pasojë e kësaj pabarazie kemi ardhur në këtë gjendje që jemi sot. Ne në platformën tonë kemi paraparë për këtë zonë investime të mëdha kapitale për të penguar emigracionin. Këtu jemi të apelojmë për mbështetje për këtë Aleancë , që garanton zhvillim për të gjithë shqiptarët. Në fund takimin e përmbylli lideri i Lëvizjes për Reforma PDSH , Ziadin Sela i cili  para presparëve të Kranjit tha: ”Ne i kemi hyrë një procesi shumë të vështirë bashkë. Para dy vitesh nisëm një reformë, një reform brenda shoqërisë shqiptare. Përditë ikin njerëz nga BDI. Unë jam kandidat në zonën nr. 6  por unë jam i lindur dhe i përkas kësaj zone këtu. Në fund të fundit gjithësecili prej nesh i përkasim njëri-tjetrit. Aq sa edhe resnjarët janë kumanovarë, ashtu si edhe kumanovarët janë struganë. Vetëm në këtë formë mund ta krijojmë atë forcën e përbashkët . Jo duke krijuar ndarje, por duke llogaritur vëllezër njëri tjetrin”, tha Sela.

© fol.mk