Prokuroria e Republikës së Kosovës, do të jetë në dispozicion për të ofruar ndihmë prokurorisë së Gjykatës Speciale për krime luftë, e cila pritet që së shpejti t’i shpallë aktakuzat mbi personat e dyshuar për këto vepra.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, ka thënë për indeksonline, se prokuroria është e obliguar të veproj në përputhje me ligjin për dhomat e specializuara.

Lumezi në takimin e sotëm që kishte me kryeprokurorin e Gjykatës Speciale Schwendiman, tha se sa i përket akuzave nuk kishte biseduar fare me te sepse prokuroria speciale është krejtësisht e pavarur në punë e tyre.

“Sa i përket kërkesave për ndihmë që vijnë nga zyra e prokurorit të specializuar, në jemi të obliguar të veprojmë në përputhje me ligjin për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit special”, ka thënë ai.

Ndërkaq prokurori Schwendiman tha se procesi do të jetë objektiv, nuk do të ketë drejtësi selektive, sepse të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe do të gjykohet përgjegjësia individuale e jo përgjegjësia e ndonjë grupi apo përgjegjësia e ndonjë organizate.

“Veprimet procedurale do të ndërmerren në kohën e duhur, sa më shpejt që është e mundur por edhe aq sa e lejojnë kushtet dhe procedurat”, theksoi David Schwendiman.