Shkruan Albrim Hoxha

Të jemi të qartë për një gjë, si fillim. Duam apo s’duam ne, Ali Ahmeti dhe BDI-ja, janë e keqja e domosdosshme e shqiptarëve. Këtë nuk e them unë. E thanë votuesit shqiptarë më 11 Dhjetor.

Takimi që u realizua sot, nuk ka të bëjë me betejën që jemi mësuar ta shohim në këto 20 e ca vite politike për shqiptarët në Maqedoni. Nuk ka të bëjë me betejën se kush nga partitë shqiptare, të futet i pari në qeveri me partnerin maqedonas.

Është një takim NDRYSHE. Është një fillim NDRYSHE, për politikëbërjen shqiptare në këtë vend. Për herë të parë flitet për KUSHTE dhe jo kërkesa ndaj bllokut politik shqiptar. Për herë të parë, ndodhemi para një momenti historik, ku më në fund, çështjet kyçe për shqiptarët mund të realizohen. Por kjo nuk bëhet nëse nuk bashkohet vullneti politik i subjekteve politike shqiptare. Nuk është momenti, që sot të sulmosh dhe të luftosh politikën ndryshe, që vetë populli e votoi.

Shqiptarët votuan për Gjuhën Shqipe zyrtare. Shqiptarët votuan për buxhetin që iu takon. Shqiptarët votuan për zgjidhjen e rasteve të montuara ndaj tyre. Shqiptarët votuan për Prokurorinë Speciale dhe Gjykatën Speciale. Shqiptarët votuan për të paktën njërin nga postet kryesore të shtetit. Të gjitha këto i premtuan, pa përjashtim të gjitha partitë shqiptare. Dhe populli votoi. Numrat janë ashtu si janë. Si asnjëherë më parë, shqiptarët kanë shansin, që përpara se të ulen me partitë maqedonase, fillimisht të ulen bashkë mes veti dhe të bashkojnë kokat e tyre, për t’iu bërë ballë me kushte, partive maqedonase.

Andaj, Ju lutem, mos flisni fjalë të mëdha dhe mos shisni moral politik aty ku nuk mban. Qeveria teknike mes katër partive më të mëdha, është propozimi i BESËS. Është shumë kontradiktore. Gjatë gjithë kohës thoni se nuk bëheni bashkë me Gruevskin dhe VMRO-në, ndërkohë që vet propozoni një lloj qeverie, që e përfshinë edhe Gruevskin edhe VMRO-në. Madje edhe BDI-në. Gjatë gjithë kësaj periudhe deri në zgjedhje, nuk u ndalët duke kêrkuar Ridefinimin e nga ana tjetër ofroni kusht që vetëm të diskutohet rreth ridefinimit. Diskutimi nuk do të thotë realizim. Gjatë gjithë kësaj kohe, keni sulmuar opozitën shqiptare aq shumë, sa harruat të merreni me të keqen e shqiptarëve.

Ju keni blerë portale e gazeta, televizione e kush dreqin e merr vesh, të cilat janë shndërruar në zëdhënësat Tuaj, nga ku pa mëshirë, pa kurrfarë kriteri, sulmohet dhe shpifet ndaj partive opozitare, që nuk janë “me besë”. Ju angazhuat, paguat dhe krijuat “analistë” e “gazetarë”, që gjithë kohës të merren me opozitën dhe jo pushtetin. Të gjitha këto janë fakte. Janë të shkruajtura. Ndajeni mendjen, o sot, o kurrë! A do ti shërbeni çështjes shqiptare apo agjendave të huaja? Tani është koha.

PS: Për fund dy fjalë për atë Bekim Salin. Ke emër shumë të bukur shqiptari, por mbiemri nuk më tingëllon fare shqip.