Në Selinë e BDI-së në Reçicë të Vogël, sot është mbajtur takim i organeve më të larta të partisë. Në Selinë e partisë është i pranishëm edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ndërkaq diku rreth orës 13:00 në Seli kanë hyrë edhe katër nënkryetarët e partisë, Sadulla Duraku, Teuta Arifi, Izet Mexhiti dhe Nevzat Bejta.
Sipas burimeve, por edhe përbërjes partiake, i cili është i pranishëm në Selinë e BDI-së, bëhet fjalë për mbledhje të nënkryetarëve të BDI-së. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, thotë se nuk bëhet fjalë për asnjëfarë mbledhjesh të mëdha formale, por për takime të rregullta të partisë.
“nuk bëhet fjalë për nënkryesinë ose për kryesinë. Ne jemi vazhdimisht në kontakt dhe takim, sot asgjë nuk është formale, mund të ketë takim Kryesia Qendrore edhe sot, por nëse mbahet, do të ju informojnë”, deklaroi Osmani.
Edhe nënkryetarja e BDI-së Teuta Arifi, përpara se të hyjë në Seli, shkurt tha se bëhet fjalë për takim të rregullt partiak.
Përndryshe, të dielën në mesnatë i mbaron afati mandatarit Nikolla Gruevski për të formuar qeverinë e re, por nuk ka ende asnjë informacion se si zhvillohen negociatat midis palëve. Heshtje nga VMRO-DPMNE dhe BDI, përveç që herë pas herë lëshohen balona testues për publikun nëpërmjet kanaleve të ndryshme, palët nuk kanë zbuluar se çfarë ndodh në prapaskenë dhe nëse të dy palët do të jenë përsëri pjesë e qeverisë së re. /Portalb