Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në pyetje të gazetarëve se si i komenton protestat për rastin “Monstra” tha se “nuk duhet të keqpërdoren hallexhinjtë, të mos keqpërdoren njerëzit në stacione”.

“Ne kemi pasur lidhje dhe komunikim me të gjithë këta njerëz që kanë halle dhe kanë probleme dhe jemi përpjekur t’i vëmë në kontakt me të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe ne po ashtu kemi kërkuar ekspertizë ndërkombëtare për të qenë procesi më transparent”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se ky rast ka qenë edhe në marrëveshjen politike si rast për shqyrtim dhe se ka instanca të tjera për ankesa.

“Jo t’i keqpërdorim ndjenjat e tyre për shkak se janë procese tepër të komplikuara”, tha Ahmeti.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti po ashtu tha se “pas kësaj mbledhje BDI do të jetë e mirë dhe më e organizuar dhe se janë biseduar të gjitha çështjet”.

Ahmeti tha se partia e tij në mbledhje i ka diskutuar të gjitha çështjet dhe se partia e tij mban përgjegjësi për vite me radhë në shtet.

“Janë shpjeguar ato dallime dhe se asgjë nuk mbeti pa u sqaruar deri në atomin e fundit”, tha Ahmeti duke thënë se nuk ka pasur pika të mospajtimit.