Deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë për ridizajnim të kufijve në Kosovë, po shihen si të rrezikshme dhe me efekt domino për tërë Ballkanin Perëndimor.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, në një intervistë për KosovaPress, thotë se këto gjëra duhet menduar mirë dhe me gjakftohtësi sepse nëse fillon ndryshimi i kufijve, atëherë do të ketë efekt domino edhe për vendet tjera.

Ahmeti, thotë se në këtë ide po kontribuon edhe Rusia, e cila nuk dëshiron që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së, aq më pak të jetë në NATO. Madje këtë e kanë thënë hapur zyrtarët e lartë rus, presidenti Vladimir Putin dhe Sergej Lavrov, se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është provokacioni më klasik dhe më i keqi që mund t’i bëhet Rusisë. Kreu i BDI-së, thotë se bashkimi i vetëm i shqiptarëve mund të bëhet në Bashkimin Evropian, duke hequr kufijtë.

“Ndryshimin e kufijve unë e shoh me efekt domino. Ka rreziqet e veta, mbase dikujt mund t’i pëlqej, unë kam dëgjuar ka deklarata edhe nga Kremlini, ka deklarata përse Kosova mund të jetë e pavarur, pse Kosova të jetë e pavarur, ose kam dëgjuar deklarata prej autoriteteve serbe që duhet të bëhet ndryshimi i kufijve të Kosovës. Mirëpo, po të fillojë ky ndryshim, unë i frikësohem efektit domino dhe si do bëhet ai ndryshim, tash manipulohet me 13 për qind të territorit të Kosovës me veriun me Luginën e Preshevës, si do jetë ndarja, a do përgatisësh edhe një herë që me thikë t’i ndash dhe t’i copëtosh hapësirat. Si do ta ndash Bujanocin, si do ta ndash Medvegjën, si do e ndash Banjën e Siarinës. Tash një pjesë e atyre njerëzve të Medvegjës i kanë braktisur vatrat e veta dhe janë vendosur në Fushë Kosovë, në Prishtinë, po përsëri njerëzit janë të lidhur me themelet e veta, me varrezat e veta, kur ndodh një ndarje ai nuk mund të jetë aq i lirshëm të rikthehet në vendlindjen e vet. Këto janë gjëra që duhet menduar me urtësinë me të madhe, me gjakftohtësinë me të madhe, të mos nisë një proces që ka një kosto goxha të lartë”, tha Ahmeti.

Ahmeti kërkon nga autoritetet serbe, autoritetet e Kosovës, por edhe autoritetet në Maqedoni dhe në Shqipëri që me gjakftohtësi t’i analizojnë rrethanat se cila është me produktive dhe më e dobishme për rajonin. Ahmeti thekson se si shqiptarë kurrë më mirë nuk kanë qenë, porse a mund të bëhen më mirë, sigurisht që mund të bëhen më mirë dhe t’i përmbushin standardet e të bëhen pjesë e Evropës dhe t’i heqin kufijtë në mes vete, pasi nuk ka arsye të ketë kufij e të presësh tre orë në kufirin e Bllacës mes Kosovës e Maqedonisë. /Fol/