Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, nuk shkoi të takojë kryeministrin Edi Rama sepse ka patur aktivitete partiake, deklaroi për Nova Tv shefi i kabinetit të Ahmetit Artan Grubi.

”Nuk shkuam sepse kishim shumë aktivitete partiake. Nuk arritëm as në takimin e djeshëm, për në ora 13 e 30, e as sot në ora 17. Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka vullnet për t’u ulur në një tavolinë të përbashkët. Mbase kjo do të ndodhë në javën tjetër”, deklaroi Grubi.

Edi Rama i thirri në takim liderët e katër subjekteve shqiptare që fituan deputetë në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Mediat njoftojnë se – për dallim nga Ahmeti – Bilall Kasumi i Besës, Ziadin Sela i LR-PDSH-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së gjatë ditës së djeshme dhe të sotme kanë gjetur kohë për të takuar kryeministrin shqiptar.