Familjari i Komandant Shqiponjës, Lulzim Aliti thotë se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, po mban veshje sportive nëpër tubime, për të fshehur jelekun anti-plumb që mban, apo siç thuhet “pancirin”. Aliti ka komentuar veshjen e kryetarit të BDI-së në tubimin në restorantin Biznis në Çair, ku ka qenë me kostume e kollare.

“Shifeni …. paska shku ne Çair me kollare sepse atje e siguron nëntoka ndërsa gjithandej me veshje sportive qe mos i dallohet panciri!!! Ky thotë skam be as një faj, se di pse mban pancir?!” ka pyetur Aliti. Ai ka përdorë edhe terme ofenduese ndaj kryetarit të BDI-së, mirëpo nuk i botuam, për shkak të respektit të madh që gazeta Lajm ka ndaj Ahmetit (siç e dini shumë mirë ju lexues të nderuar!).

Shumë mediume deri tani kanë shkruar lidhur me kërcënime që po i kanosen Ali Ahmetit pas ngjarjeve në Lagjen e Trimave. Gazetari Dragan Pavlloviq-Llatas e ka këshilluar Ahmetin se vetëm VMRO mund ta mbrojë nga kosovarët, këshilla që si duket Ahmeti i ka pranuar me dashamirësi, duke mos prishur koalicionin me VMRO-DPMNE-në.