Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot çmimi shtetëror “Mito Haxhivasilev – Jasmin” për vitin 2016, iu dorëzua laureatëve të sivjetëm Alush Kamberit – për publicistikë dhe Toni Dimkovit për gazetari.

Gazetari i pensionuar, Alush Kamberi mbi 45 vjet të jetës së tij, i ka kaluar në Televizionin e Maqedonisë, në programin dokumentar në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Në krijimtarinë e tij të pasur televizive ka mbi 400 njësi dokumentare. Është autor i filmit të ardhjes së parë të Nënës Terezë në Maqedoni. Për nobelisten dhe humanisten ka bërë edhe tre dokumentare të tjera si dhe filmin “Kur Nëna Terezë ishte Gonxhe”. Kamberi është shpërblyer për disa prej filmave dokumentarë.

Kamberi u falënderua në emër të dy fituesve duke theksuar se çmimi “Mito Haxhivasilev-Jasmin” është akt i mirënjohjes për punën e tyre shumëvjeçare dhe vlerësimin e arritjeve gazetareske dhe publicistike në Maqedoni.

“Dashuria ndaj këtij profesioni vazhdimisht na ka dhënë motivim që gjatë gjithë jetës të jemi në kërkim të ngjarjes, të temës, idesë, në kërkim të njeriut dhe fatit të tij. Është e habitshme ndjenja kur dashurohesh në profesionin tënd dhe kur tërë jetës do të preokupohesh me mendimin gazetaresk… Mirënjohjen e sotme e vlerësojmë si akt të nxitjes që edhe më tej ta madhërojmë dashurinë tonë ndaj profesionit të gazetarisë. Gazetari i vërtetë di t’i tejkalojë të gjitha sfidat, ndërsa me këtë fjala gazetareske dhe mendimi gazetaresk të lë gjurmë në një kohë dhe hapësirë”, theksoi Kamberi.

Toni Dimkov ka karrierë gazetareske 25-vjeçare të cilën e ka realizuar në më shumë media të shtypit, revista ditore dhe periodike si dhe media elektronike. Përvojën profesionale e ka ndërtuar duke punuar në Televizionin e Maqedonisë nga viti 1995 deri në vitin 2004. Gjatë karrierës së tij ka përgatitur mbi 500 TV-kronika, pesëdhjetë TV-emisione dhe qindra intervista dhe tekste nga sfera e kulturës dhe artit. Opusi i tij shumëvjeçar gazetaresk rezultoi me punën “Fjala lë gjurmë” në të cilat janë grumbulluar intervista të personaliteteve të rëndësishme të kulturës.

Liljana Gërxho Damovska, përfaqësuese e Këshillit për ndarjen e çmimit për vitin 2016, tha se ai u dorëzohet dy gazetarëve profesionistë të cilët, tha ajo, në mënyrë të argumentuar mund të jenë sinonim i gazetarisë./MIA/