Në prag të shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj ndau mirënjohje post-mortem për biznesmenin e ndjerë, me prejardhje nga Kosova por që ka jetuar dhe vepruar në Shkup, Enver Maliqi. Dedaj, ka vlerësuar lartë punën e të ndjerit Maliqi, ndërkaq kujtoi edhe takimin e tij të parë me të ndjerin.

“Me të ardhur në Shkup, personin e parë që e kam takuar ditën e parë që e kam marrë postin, ka qenë i ndjeri Enver Maliqi dhe aty e kam krijuar përshtypjen shumë të mirë për Shkupin. Enveri ka qenë një figurë, që vdekja e tij nuk e ka goditur vetëm familjen Maliqi, por e ka goditur dhe mërzitur të gjithë miqtë që e kanë njohur për së afërmi”, tha Gjergj Dedaj – Ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

Dedaj njoftoi se ambasada e Kosovës nuk ka organizuar asnjë manifestim për nderë të Pavarësisë, dhe se këtë datë të rëndësishme për shtetin e Kosovës, ka zgjedhur ta shënojë me këtë mirënjohje.


Albani Maliqi biri i biznesmenit të ndjerë e çmoi lartë këtë mirënjohje për babain e tij.

“Pavarësisht se babi nuk është fizikisht me ne, unë e di një gjë, se nga të gjitha mirënjohjet që i ka marrë në jetë, qoftë për humanizëm apo biznes, unë jam i sigurt se kjo do të zinte vendin me prioritet para të gjithave. Sepse, ai vetë ka qenë 100% kosovar, babën nga Gjakova dhe nënën nga Gjilani. Ne jetojmë këtu, por zemrën gjithmonë e ka pasur në Kosovë”, potencoi Alban Maliqi – i biri i Enver Maliqit.

Mirënjohjen post-mortem Ambasada e Kosovës ia dorëzoi Albanit, për të shprehur mirënjohje për kontributin që Enver Maliqi e ka dhënë gjatë jetës si tij, si biznesmen dhe si humanist.

Enver Maliqi ndërroi jetë më 30 nëntor të 2020-s, pas vështirësive shëndetësore që ia shkaktoi virusi Covid-19.