Koalicioni Aleanca për Shqiptarët – AlternAtivA përmes një pres konference ka hedhur dyshime të shumta mbi procesin e numërimit të votave. Nga koalicioni thanë se procesi zgjedhor është zhvilluar me shumë parregullsi dhe është manipuluar, gjë që sipas tyre e konteston fioren e BDI-së.

Reagimi i plotë i koalicionit “Tash është koha”:

“Të nderuar qytetarë, të nderuar përfaqësues të mediave,

Jemi sot këtu për të thënë se është për të ardhur keq që edhe gati pas 24 orësh pasi që ka përfunduar procesi zgjedhor, ende mungojnë rezultatet preliminare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Mungesa e informacioneve zyrtare, spekulimet e ndryshme, bllokimi dhe sulmi që iu bë ueb-faqes së KSHZ-së dhe krejt amullia që është krijuar, ngre shumë dyshime ndaj procesit të numërimit të votave.

Duke e pasur parasysh se sot nga vëzhguesit dhe shtabet tona na vijnë informacione për të dhëna që nuk përputhen me ato që i ka publikuar KSHZ-ja, ndërsa janë raportuar shumë parregullsi, manipulime dhe abuzime me procesin zgjedhor, jemi sot këtu për të thënë se për neve janë shumë problematikë dhe të pabesueshëm numrat e publikuar mbrëmë. Nisur nga kjo, si dhe nga njoftimet se në disa vendvotime ka pasur mbushje kutish, si në Saraj, “tren bullgar” në Komunën e Likovës, pastaj votim për mërgimtarët në Dibër ose mbushje brutale e kutive në Zajaz, Pllasnicë e Kërçovë, por edhe informacionet se këso dukuri ka pasur edhe në vendbanime pastër maqedonase, ku çuditërisht një sasi e madhe votash kanë shkuar për BDI-në, të gjitha këto flasin se procesi zgjedhor është larg asaj që do të donim të jetë dhe prandaj për ne të dhënat që atë parti e nxjerrin fituese janë shumë kontestuese.

Prandaj, ne kërkojmë nga KSHZ-ja që ta rishqyrtojë rezultatin zgjedhor, por edhe nga misioni OSBE-ODIHR, si dhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë, që të ndihmojnë në verifikimin e procesit, sepse në këtë mënyrë ka rënë shumë kredibiliteti i zgjedhjeve dhe i krejt demokracisë në vendin tonë. Ne e pranojmë vendimin e sovranit, por jo edhe manipulimin me vullnetin e tij.

Sidoqoftë, ne vazhdojmë të mbetemi në komunikim me qytetarët për të kumtuar të rejat e fundit dhe për t’u deklaruar me zhvillimet më të reja rreth këtij procesi”.