Duke mos harruar t’i përmendë tentativat e fundit të presidentit Obama për të ndaluar konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës dhe luftën në Siri, Samantha Power ka denoncuar vendosjen e vetos në këto çështje

Një muaj para ikjes së saj, përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara është dalluar gjatë një konference të përbashkët në të cilën ka replikuar me homologun e saj rus mbi çështjen e konfliktit sirian dhe ndërtimeve izraelite. Në fjalimin e saj Samantha Power ka akuzuar homologun e saj rus për shkatërrimin e qytetit të Alepos dhe përdorimit të armëve kimike. Në fund të misionit të saj në OKB ambasadorja amerikane Power ka lënë mënjanë të gjithë gjuhën diplomatike dhe nuk ka hezituar të kritikojë ashpër qëndrimet e mbajtura mbi dosjen siriane.

Duke mos harruar t’i përmendë tentativat e fundit të presidentit Obama për të ndaluar konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës dhe luftën në Siri, Samantha Power ka denoncuar vendosjen e vetos në këto çështje. Vetoja e vendosur, kryesisht nga pala ruse, në të shumtën e rasteve ka penguar procesin e bisedimeve dhe vendosjen e mundshme të paqes.

Linja e kuqe ndaj armëve kimike

Që prej ardhjes së saj në OKB Samantha Power është përballur me kundërshtimin e homologëve të saj mbi dosjen siriane. Në vitin 2013 presidenti Barack Obama ka kundërshtuar më forcë përdorimin e armëve kimike si mjete lufte, ku një rezolutë të përshtatur nga OKB-ja, në të cilën përdorimi i këtyre armëve ishte i sanksionuar dhe pala që do t’i përdorte do të mbante përgjegjësi përpara ligjit. Duke parë se muaj pas muaji regjimi i Damaskut me aleatët e tij kryesorë, Iranin dhe Rusinë, vijonin të përdornin këto armë, duke shkaktuar humbje jete dhe shkatërrime në masë, nga ana e Shteteve të Bashkuara u vendos një linjë e kuqe sipas së cilës nuk do të tolerohej me përdorimi i armëve kimike si mjete lufte. Për më tepër Shtetet e Bashkuara duke parë vijueshmërinë e situatës në terren vendosën të ndërhynin ushtarakisht në Siri, por diplomacia kryesore në dosjen siriane shihej si mundësia e vetme për t’i dhënë fund konfliktit.

Duke vënë në dukje se situata në terren është shumë më ndryshe se çka duket në medie, ambasadorja amerikane e OKB-së e ka akuzuar regjimin sirian dhe aleatët e tij si shkatërruesit kryesorë të Alepos dhe gjithë Sirisë. “Ne nuk mund të jemi memecë para kësaj tragjedie ku me mijëra persona po humbin jetën, ku armët kimike po përdoren në masë si armë lufte, ku qytetet po shkatërrohen. T’ju vijë turp, t’ju vijë turp që nuk po ndaloni bombardimet përpara një tragjedie të tillë, t’ju vijë turp që po vrisni njerëz dhe po shkatërroni vendbanime”, me këto fjalë i është drejtuar ambasadorja Power homologut të saj rus.

“Harrohen mirësjelljet diplomatike”

 Gazeta amerikane “Uashington Post” i ka kushtuar ambasadores Power një kryeartikull të titulluar “Harrohen mirësjelljet diplomatike, dikush ka tronditur OKB-në duke thënë atë që askush nuk e kishte thënë publikisht”.

Kjo sjellje e ambasadores Power vjen si pasojë e eksperiencës së saj si gazetare gjatë luftës së Bonjës. Me origjinë irlandeze, Power ka ardhur në Amerikë në moshën 9-vjeçare. Më pas ajo ka ndjekur fakultetin e drejtësisë, por karriera e saj filloi si gazetare gjatë luftës së Bonjës, në të cilën ajo shërbeu si korrespondente lufte. Gjatë punës së saj ajo u dallua veçanërisht për faktin se ishte shumë e ndryshme nga gazetarët e tjerë ndërkombëtarë. Raportimet nga Ballkani shquheshin për vërtetësinë e fakteve ku Power nuk harronte të kritikonte ndërkombëtarët që e lanë situatën në Bosnjë të përfundonte në një gjenocid. Kritikat e shumta mbi këtë luftë, ku ndërkombëtarët ndërhynë vetëm në fund, kur asgjë nuk mund të ndryshonte i dhanë asaj jo vetëm famën, por e ndihmuan të ngjiste shkallët në karrierën e mëtejshme. Pas luftës së Bonjës, Power filloi të punonte në Universitetin e Havardit, ku jepte leksione mbi diplomacinë ndërkombëtare.

Tashmë një muaj pas largimit të saj nga posti i ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Power do të mbahet në mend edhe për kritikat kundrejt presidentit Obama. Në një artikull të publikuar në “Wall Street Journal”, Samanta Power është shprehur se: nëse presidenti Obama do të kishte vlerësuar realisht situatën në terren në Siri, sot nuk do të flisnin me këto terma. Puna e vërtetë duhej të ndërmerrej në momentin kur armët kimike filluan të përdoreshin dhe jo sot kur këto armë kanë shkatërruar një pjesë të qytetit. SHBA-ja si fuqi globale duhet të jetë në çdo moment e gatshme për të ndaluar masakra të tilla. Edhe pse asnjëherë nuk është vonë.