Ministri i Ekologjisë Bashkim Ameti pranon se Jugohromi është mbyllur vetëm për 90 ditë, deri sa të kalojnë zgjedhjet. Në pyetje të gazetarëve Ameti fillimisht mohonte se Jugohromi ka gjasë të rifillojë me punë ndërsa më pas pranoi se vendimi për mbyllje është i përkohshëm për 90 ditë, kohë kjo që beson se do ti mjaftojë kombinatit të Tetovës për ti vendosur filtrat, raporton SHENJA.

 “Cilësimet e tilla janë të pabaza, dhe të pavërteta”

 

Ju thoni se nuk ekziston një dokument i tillë?

Ekziston, edhe ligji është publik. Ju e shihni se ky vendim është sjellë në bazë të ligjit dhe ligji përcakton mbyllje për 90 ditë, pastaj eventualisht vazhdim edhe 120 ditë deri në vendosjen e filtrave. Nëse nuk vendosen deri atëherë e humb lejen e punës përjetësisht”, tha Bashkim Ameti, ministër I Ekologjisë.

Ameti nuk tregoi as kush është ndotësi më i madh në rajonin e Pollogut, duke thënë se janë shumë faktorë, përfshirë këtu edhe amvisëritë.

 “Ndotja ka më shumë faktorë, tani nuk mund të precizojë nji faktorë. Një ndër ta është edhe amvisëritë, nuk mund ta mohojmë. Është trafiku publik, industria”, tha Ameti.

Konferenca e Ametit u thirr pas protestës njëorëshë të të punësuarve në kombinatin e Jugohromit. Të punësuarit bllokuan udhëkryqin para Pallatit gjyqësor dhe më pas dërguan në inspektoratin e ambientit jetësor një ankesë ku kërkohet edhe një afat shtesë për punëdhënësin e tyre. Ata insistojnë se Jugohromi nuk është ndotësi kryesor.

“Punoj në Jugohrom 33 vite, jam vetëm 2,3 kilometra larg Jugohromit. I kam 50 vite dhe nuk shoh asnjë ndotje. Unë jam në punën më të rëndë ku janë gazrat më të rëndë dhe nuk kam asnjë problem tashmë 33 vite. Nuk e di çfarë është kjo puna e ndotjes. E mbyllën kombinatin e tani njerëzit vuajnë për bukë” , deklaroi një I punësuar në Jugohrom.

 “Jemi pesë anëtarë. Vetëm unë punoj në shtëpi. Nuk kam asnjë tjetër dhe kërkojmë atë të drejtën tonë sepse pa rrogë çfarë të bëjmë. Ku të marrin për të ngrënë. Ku të shkojmë të punojmë.  Na dërgojnë nëpër përmbarues e kushedi se çka…Le të bëjnë çfarë duhet por jo ta mbyllin Jugohromin dhe të na përzënë prej pune. Përse të na përzëjnë prej pune”, tha një I punësuar tjetër.

Ministri i ambientit jetësor Bashkim Ameti nga puntorët kërkoi që të kenë durim deri sa punëdhënësi i tyre ti vendos filtrat. Jugohromi është mbyllur tashmë më shumë se 20 ditë pas disa afateve të shtuara, por ky vendim do të jetë në fuqi vetëm për 90 ditë.

Ferikan Iljazi /SHENJA/