Fshirja e mërgimtarëve nga lista zgjedhore dëshmon paaftësinë e institucioneve dhe partive nënshkruese të Përzhinos për të fshirë votuesit e vërtetë fantom, ndërsa çmimin gjithmonë e paguajnë shqiptarët si pasojë e paaftësive të partive politike shqiptare. Kështu vlerëson eksperti Ismet Ramadani. Ai madje thonë se liderët e BDI-së dhe PDSH-së, por edhe përfaqësuesit e tyre në KSHZ duhet të mbajnë përgjegjësi ndaj shqiptarëve, këtë rast në veçanti ndaj mërgimtarëve.

“Kemi një paaftësi dhe një pamundësi që të zgjidhet ajo enigma e vërtetë e votuesve fantomë. Dhe sigurisht me shumë mjeshtëri këtë e kanë bërë partitë politike maqedonase duke i shfrytëzuar institucionet, në këtë rast mendoj se është shfrytëzuar Ministria e Punëve të Brendshme, ndoshta edhe Enti statistikor, që në një mënyrë i gjithë ai falsifikim i atyre letërnjoftimeve të votuesve fantomë, përnjëherë të humbet dhe të mos ekzistojë, dhe krejt këtë ta paguajnë votuesit, shumica shqiptarë”, thotë eksperti Ismet Ramadani.

Ndërsa gazetari Naim Sianni vlerëson se në qoftë se VMRO-DPMNE dhe LSDM arritën që në gjithë këtë krizë të fshijnë mbi 30 mijë shqiptarë nga lista zgjedhore atëherë çfarë mund të pritet edhe në të ardhmen.

“Filloi me 200 mijë, 400 mijë votues fiktiv të cilët u tha se i ka keqpërdorur VMRO-DPMNE-ja. Dhe tani po del se VMRO-DPMNE ose i ka keqpërdorur votat e diasporës shqiptare, ose del tendenca tjetër që zakonisht subjektet politike maqedonase dinë të gjejnë kompromis kur janë në pyetje interesat maqedonase. Po shihen edhe apetitet e LSDM-së se nuk përfundon këtu. Do të thotë LSDM po thotë se në Maqedoni nuk ka më shumë se 1 milion e 500 mijë votues, nëse kjo është kështu, atëherë kush është tani targeti i radhës, cila pjesë pretendohet të shlyhet nga numri i votuesve. A nëse sërish targeti janë shqiptarët unë jam i bindur se këtë e mbështet edhe VMRO-DPMNE dhe mbetet vetëm dilema çfarë do të bëjnë subjektet shqiptare në këtë drejtim”, tha gazetari Naim Sinani.

Analistët thonë se me fshirjen e mërgimtarëve shqiptarë nga lista zgjedhore u shkel rënd Kushtetuta e Maqedonisë dhe u cenua e drejta e tyre ndërsa këtë nuk duheshe ta lejojnë partitë shqiptare ndërsa me shumë mjeshtri e kanë bërë partitë maqedonase duke shfrytëzuar MPB-në por edhe entin statistikor.