Viti 2017 në aspektin politik në Maqedoni, do të jetë po aq i tensionuar sa edhe viti që lëmë pas. Analisti Nikolla Dujovski vlerëson se zgjedhjet e 11 dhjetorit, ishin një hap drejt demokratizimit të vendit pas krizës së thellë dhe aktualisht sikur kemi një situatë më të qetë, duke përfshirë këtu edhe durimin që tregojnë ndërkombëtarët për zhvillimet në vend, por sipas tij, ka shumë gjasa që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Maqedonia në dy vitet e kaluara ka kaluar në një periudhë jashtëzakonisht turbulente sepse në shesh dolën shumë praktika dhe politika që partitë në pushtet i kanë bërë nga 2008 deri në 2015 dhe që nuk do të thotë që nuk kanë vazhduar. Megjithatë patëm një proces zgjedhor relativ të cilin mund ta karakterizojmë si të qetë por i cili për fat të keq nuk i zgjidh problemet dhe nuk na jep bazë të mirë për të filluar me zgjidhjen e problemeve. Vijojnë hapa të cilat me gjasë do të na sjellin zgjedhje të reja por paraprakisht është e rëndësishme që terreni të përgatitet mirë për këtë”, deklaroi Nikolla Dujovski, analist.

Ngjashëm vlerëson edhe analisti Sefer Tahiri sipas të cilit pas një sërë protestash dhe negociatash zgjedhjet ishin përfundimi logjik i përpjekjes për të çrrënjosur autoritarizmin nga sistemi. 2017-a, për Tahirin do të jetë një sfidë që do të tregojë nëse vendi do të revitalizohet si shtet demokratik ose do të ec drejt një krize më të thellë institucionale.

“Një vit në të cilin u tentua të demontohet sistemi politik dhe në përgjithësi sistemi shoqëror i këtij pushteti I cili në njëfarë mënyre gjithë këto vite ka funksionuar në mënyrë autoritare dhe pa pikë dyshimi mund të themi se ka funksionuar edhe në mënyrë totalitariste. E gjithë kjo situatë tregon që në vitin e ardhshëm ne poashtu do të kemi një vit me turbulence, me zhvillime të shumta politike sepse VMRO-DPMNE dhe as LSDM nuk kanë siguruar shumicën e mjaftueshme parlamentare për të pasur qeverisje stabile”, tha Sefer Tahiri, analist.

Edhe sipas Tahirit nëse nuk arrihet të krijohet një Qeveri stabile, njëkohësisht me zgjedhjet lokale në pranverë, mund të ketë zgjedhje të reja parlamentare. Partitë politike kanë kohë deri nga mesi i shkurtit për të formuar koalicionin qeveritar, kurse zgjedhjet e rregullta lokale, pritet të mbahen në maj të vitit 2017./Alsat-M