Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, duhet t’i merrte më seriozisht mesazhet e fundit të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit dhe ambasadorit amerikan në Shkup, Jess Baily, kanë thënë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Të dy përfaqësuesit ndërkombëtar i kërkuan Ivanovit që të rishqyrtojë vendimin e tij për të mos i dhënë mandatin për formimin e qeverisë së re, liderit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev. Ata besojnë se një veprim i tillë i Ivanovit, duhet parë edhe si alarm i ndezur për sigurinë e vendit.

Por, nga kabineti i presidentit të Maqedonisë është konfirmuar se Ivanov nuk e ka ndërmend të tërheq vendimin e tij për të mos ia dhënë mandatin Zaevit, i cili paraprakisht kishte dorëzuar 67 nënshkrime si garanci për sigurimin e shumicës parlamentare.

“Në pajtim me Kushtetutën, nuk do ta emërojë si mandatar për konstituimin e qeverisë gjithsecilin që do të negociojë për platformat e shteteve të tjera me të cilat rrezikohet sovraniteti, pavarësia dhe shteti unitarë””, thuhet në qëndrimet e Ivanovit.

“Me platformën post-zgjedhore shkelet Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit, ndërsa Maqedonia vihet në pozitë të nënshtrimit dhe varësisë prej një shteti tjetër. Qytetarët në zgjedhje votuan për reforma evropiane dhe jo për platformë post-zgjedhore të një shteti të huaj”, theksohet qëndrimin e presidentit Gjorgje Ivanov.

Ndërkohë në Tetovë pritet të mblidhet kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim për të shqyrtuar përfaqësues së lartë të BE-së Federika Moghrini e cila kërkoi respektim të Kushtetutës dhe dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re pas sigurimit të shumicës parlamentare.

“Do të diskutohet vendimi i presidentit Ivanov dhe sigurisht duhet parë se si do të veprojmë më tutje që kriza në vend të mos përshkallëzohet. Të gjitha forcat politike në vend duhet të kenë përgjegjësi që ashtu siç është kriza politike të menaxhohet me mjete të duhura politike“, ka deklaruar sot lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

“Me të gjitha partitë politike duhet të bisedohet që të kontribuojnë në drejtim të zgjidhjes së situatës dhe kjo situatë nuk duhet të kontribuojë në egërsimin elektoratit”, ka thënë Ahmeti. Sipas tij, deklarata politike e partive politike shqiptare është në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë.

Në anën tjetër, në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”, Ismet Ramadani kryetar i Këshillit Veriatlantik në Maqedoni, thotë se situata e sigurisë në vend seriozisht shkon kah përkeqësimi, andaj dhe deklaratat e diplomatëve perëndimorë duhet marrë me shumë seriozitet.

Ai thotë se vendimi dhe arsyetimi i presidentit Ivanov që të mos i jap mandatin Zaevit, është në të njëjten vijë me reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Ramadani thotë se strukturat e VMRO DPMNE, gjithnjë e më hapur kanë filluar të mbajnë anën e Rusisë për të pamundësuar ballafaqimin me drejtësinë për veprat kriminele për çka tanimë ka ngritur padi dhe Prokuroria Speciale Publike duke e shtrirë problemin në një rrafsh më të gjerë gjeopolitik.

“Duhet pasur kujdes që të mos vijë deri te konflikti. Mirëpo do theksuar se çështja nuk është vetëm tek përmbajtja në këtë situatë. Shihen sinjale dhe elemente se strukturat rreth Ivanovit dhe Gruevskit thellë kanë hyrë në tregun politik të ndikimit rus”, ka thënë Ramadani.

“Vendimi i presidentit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov për të mos e ndarë mandatin për formimin e qeverisë ka për qëllim krijimin e një situate me rrezik gjeopolitik që të imponohet intervenimi në nivele më të larta ku elita e VMRO DPMNE- së e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, të mund të realizoj pazare për të shpëtuar nga përgjegjësia para organeve të drejtësisë”, ka thënë ai.

Ramadani ka nënvizuar po ashtu se nevojitet një presion edhe më i theksuar me sanksione konkret që politikanët e vendit të përfillin sugjerimet e Brukselit dhe Uashingtonit.

Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë Denko Malevski thotë politikanët e Maqedonisë për të shpëtuar veten nuk mbajnë llogari fare për pozitën gjeopolitike shumë të ndjeshme në të cilën ndodhet vendi.

Siç thotë ai, politikanët po e shtyjnë vendin drejt një konflikti me përmasa edhe më të rrezikshme seç ishte ai në Bosnjë.

“Pa menduar për rrezikun në të cilin e futin vendin në plan afatgjatë një pjesë e strukturave politike, Maqedoninë e drejtojnë në kahe të rrezikshme përmes blerjes së kohës për të qëndruar sa më gjatë në pushtet.

Praktikisht Maqedonia mbahet si shtet jashtë proceseve eurointegruese , larg strukturave të sigurisë së NATO-s, vetëm e vetëm që të ruajnë pushtetin e një strukture të caktuar politike pa mbajtur llogari për të ardhmen e vendit dhe rreziqet që sjell kjo strategji”, thekson Malevski.

Ndryshe Ministria e Punëve të jashtme e Rusisë së fundmi e ka akuzuar NATO-n, BE-në dhe Shqipërinë, për përpjekje për imponim të qeverisë pro-shqiptare në Maqedoni, që është përfshirë në krizë politike, pas zgjedhjeve të mbajtura në muajin dhjetor të vitit të kaluar.