Komunat me shumicë shqiptare dallojnë skajshmërisht nga komunat me shumicë maqedonase në aspektin e investimeve kapitale, kulturore, sociale, sportive etj. Nga mevtësimi i Maqedonisë e këndej viset shqiptare kanë qenë në vazhdimësi të diskriminuar për arsye se ndarja e buxhetit shtetëror nuk është bërë në mënyrë proporcionale. Njohësit e zhvillimeve poltike në vend thonë se kjo gjendja është toleruar në të kaluarën edhe nga vetë paritë politike shqiptare, andaj duhet të punohet që pas zgjedhjeve të sivjeme lokale një situatë e till mos përsëritet, transmeton Zhurnal.mk

Doktori i shkencave ekonomike, profesori universitar dhe ish-deputeti Ruzhdi Matoshi për Agjencin e Lajmeve Zhurnal.mk thotë se shqiptarët e Maqedonisë nga politika nuk e marrin atë që ju takon më shumë se 20 vite, arsyet janë të shumta dhe çdo ditë tash e tutje deshifrohen elementet regresiv dhe restriktive të cilat identifikohen në shumë segment të shoqërisë sonë.

“Shumë poltikan kanë rregulluar problemet e tyre familjare dhe grupeve të tyre dhe tash flasin për interes shoqërorë, pikërisht nga ky fenomen na vjen e keqja se pse ne nuk kemi investime publike që duhet burojnë nga buxheti republikan dhe donacione ndërkombëtare. Çdo qeveri progresive dhe me koncept perëndimor i zhvillon pjesët e trupit apo territorit njësoj ndërsa në Maqedoni kjo nuk është realitet. Maqedonia perëndimore dhe në pjesët ku jetojnë shqiptarët kanë probleme banale infrastrukturore dhe socio-ekonomike a kjo vjen nga mos pasje një transparence të buxheteve si të qeverisë qendrore po ashtu dhe të qeverive komunale ku duhet të burojnë vendimmarrje politika jo segreguese në veçanti për shqiptarët”, thekson Matoshi.

Sipas tij, partitë politike duhet të sqarojnë pse kemi regres e jo progres t’i zbardhin shkaqet dhe te orientojmë forcat, çka mund të bëjmë dhe të dalim nga gënjeshtrat dhe mbrapshtit që gjenezën e kanë tek vet partitë, oferta më e mirë do të ishte të marrim pjesën e buxhetit qendror që na takon dhe ti realizojmë prioritet e jetës për qytetarët pa demagogji.

“Në Maqedoni na mungojnë njerëzit e duhur në vend të duhur. Resurse humane të pakta që i kemi me përgatitje nuk iu është dhënë mundësia për asnjë moment. Pse? Prioritet ishte revanshizmi dhe militantizmi partiak nga i cili po vuajnë shumë segment të institucioneve, politika dhe politik bërësit duhet bindur se nga servilizmi nuk fitojnë as vet ata e jo më populli me kaç do ta përmbyllja jo seriozitetin e resurseve njerëzore që kemi në institucione”, vlerëson profesor Matoshi.

Ai konsideron se faktet në pushtet lokal janë ende më trishtuese, kush mund të më sqaroj, thotë ai borxhin në komunën e Tetovës i cili rritet nga mandati në mandat, Hazbi lika si kryetarë la 3 milion euro, Sadi Bexheti 5 Milion borxhe ndërsa tani kemi 10 deri në 12 Milion euro borxhe nga kryetarja Teuta Arifi.

“Pse këta borxhe, ndërsa Tetova ende ka probleme elementare te mbeturinave, ujit dhe ajrit të cilat askund në BE nuk mund ti paraqesim si probleme se dalim joserioz. Jo resurse njerëzorë që flasin mire para ekraneve a janë hipokrit dhe injorant në menaxhim publik. Jemi larg nga aspirata e të pasurit qytete si në perëndim pse dominojnë interesat klanore dhe politike të cilat kanë strategjinë e mbijetesës politike e jo zhvillimin komunal”, nënvizon Matoshi.

Nga ana tjetër Azam Dauti, botues dhe opinionist konsideron se investimet nëpër komunat shqiptare, nuk përkojnë me kërkesat dhe meritat e taksëpaguesit shqiptar, për shumë arsye.

“E para, disa probleme infrastrukturore të kohëve të kaluara, në vend që të zgjidhen ata janë shtuar. Kjo, do të thotë që mungon kujdesi institucional, prandaj edhe shumë pak është investuar, edhe ajo që është investuar, është investuar në stilin “po e (ri)ndërtojmë këtë objektë para zgjedhjeve lokale apo parlamentare, të fitojmë vota”! Duke logjikuar në këtë mënyrë të gabuar, është e natyrshme që një godinë e teatrit nacional, të mos riparohet me vite të tëra. Këtu kemi edhe moskoordinim të kompetencave dhe ingerencave, sepse shumë projekte të këtilla i takojnë pushtetit qendror, ndërkaq qytetari e identifikon suksesin apo mossuksesin me autoritetet komunale. Kjo, është edha një arsye më tepër që nuk e di saktësisht sa është investuar më shumë tek komunat me shumicë maqedone, por diskriminime institucionale vërehen edhe në shpërndarjen e atyre mjeteve më të pakta, siç janë ato nga fusha e kulturës, sportit etj. që publikohen tek buxhetet vjetore”, thotë Dauti për Zhurnal.mk.

Përndryshe, shton ai kur janë në pyetje investimet konkrete lokale, poashtu është vështirë të dallosh a bëhet fjalë për riaprime, apo investime, sepse në të gjitha komunat ka projekte që janë riparime të domosdoshme, që krerë partiak, për poena politikë i llogaritin si “Investime kapitale”.

“Zgjidhja e balancimit të investimeve, sigurisht që duhet të filloj nga shpërndarja e mjeteve buxhetore në mënyrë të drejtë dhe minimumi në mënyrë proporcionale. Mirëpo, në disa komuna ku ka nevoja dhe kërkesa të rregullimit urgjent, siç janë kanalizimet, ujësjellësat, shkollat, rrugët, trotoaret, higjienat komunale etj., gjithsesi, që nuk duhet shikuar vetëm ndarjen proporcionale të mjeteve por edhe tejkalimin e saj, sipas nevojave qytetare. Ndërkaq, besoj që në të gjitha komunat shqiptare, ka probleme të këtilla të pazgjidhura me dekada”, thekson opinionisti Dauti.

Unë mendoj, thekson ai që ilaçi kryesor për zgjidhjen e këtyre problemeve është faktori njeri, respektivisht krerët komunal, të cilët duhet të mendojnë dhe veprojnë në mënyrë kreative dhe të ndërgjegjshme, në përputhje me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, e jo nën presionin e interesave të ngushta elektorale.