Pavarësisht se hisedarët e Përzhinës iu përmbajtën marrëveshjes dhe aprovuan në afat rekord të gjitha ligjet e nevojshme për zbatimin e këtij pakti, analistët politik janë skeptik se ky trend do të vazhdojë tutje. Madje disa prej tyre thonë se tani do të dalin në shesh edhe më shumë mosmarrëveshjet që dolën nga këto marrëveshje.

Xhenis Sulimani, madje si shembull merr listën e votuesve, dhe faktin se si shumica nga shifra prej 39 mijë votuesve të kontestueshëm, po dalim shqiptarë, ndërsa dy parti shqiptare dhanë pëlqimin e tyre për të shqyrtuar këtë pjesë të elektoratit.

“Ishim dëshmitar edhe të kësaj marrëveshje të fundit e cila tani po prodhon një mosmarrëveshje tjetër, e që është çështja me listën zgjedhore. Në fillim përmendeshin diku mbi 200 mijë persona të kontestueshëm për të votuar, ndërsa tani në listën e fundit që doli nga KSHZ ishin vetëm diku 39 mijë kështu që vërtetohet kjo tezë se marrëveshjet prodhojnë mosmarrëveshje në Maqedoni’’, tha Xhenis Sulimani, Analist politik.

Profesori universitar, Mersel Billalli është pesimist se ligjet e miratuara në Kuvend do të ofrojnë kushte për zgjedhje fer dhe demokratike.

Sipas tij, problem serioz do të jetë vet zbatimi i marrëveshjes.

“Pa dallim marrëveshjeve mes palëve dhe eventualisht zbatimi juridik i tyre, problem serioz do të ketë zbatimi faktik i tyre! Pra, strukturat që menaxhojnë me shtetin kanë përvojë të mjaftueshme që t’i manipulojnë të gjitha situatat dhe rrallëkush është optimist që diçka serioze do të bëhet. Personalisht nuk jam optimist që do të ketë ndonjë epilog të dobishëm’’, u shpreh Mersel Bilalli, Profesor Universitar.

Mbrëmë kuvendi miratoi në pako ligjet që dalin nga marrëveshja e Përzhinës 2.

Deputetët votuan për mandatin e ri të qeverisë, ku përfshihen edhe ndryshimet në Ministrinë e Brendshme.

Në kuvend kaloi edhe ligji për zgjedhjet, ligji për reformat në medie dhe ligji për ndjekje penale.

Sipas udhërrëfyesit të caktuar nga katër partitë nënshkruese të Përzhinës, më 19 gusht pritet të formohet nga Autoriteti Audio-Vizuel i Maqedonisë një komision ad-hoc, i cili do të mbikëqyr punën e medieve në zbatimin e reformave në fushën e tyre.

Në fund të gushtit, pritet që NIkola Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, të ulen prapë në një tavolinë, dhe të kuvendojnë datën e zgjedhjeve, nëse vlerësojnë se janë përmbush kushtet e dala nga Përzhina 2.