Retorika nacionaliste me të cilën e nisën fushatën dy partitë që me vite ndajnë bashkë pushtetin VMRO-DPMNE dhe BDI, sipas analistëve është përpjekjet për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve nga dyshimet për përfshirjen e zyrtarëve të tyre në vepra kriminale por edhe për të mos dhënë përgjegjësi për premtimet e parealizuara.

“Partitë që janë të inkriminuara ose dyshuara për vepra kriminale përpiqen të gjejnë rrugëdalje dhe përsëri kthehen në origjinën e tyre politike ku karta nacionaliste gjithmonë ju ka sjell përfitime”, tha Ibrahim Mehmeti, analist.

Njohësit e rrethanave politike thonë se retorika nacionaliste është shumë e rrezikshme dhe nëse nuk identifikohet me kohë nga qytetarët mund të çojë edhe drejt konflikteve ndëretnike.

“Retorika që përdoret në këto zgjedhje posaçërisht nga dy partitë kryesore si nga VMRO-DPMNE-ja po ashtu edhe nga BDI-ja është retorikë mashtruese dhe ka për qëllim ta mashtrojë opinionin. Edhe 16 vite pas 2001-shit kemi skadime UÇK, UÇK nga njerëzit të cilët kundër Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe tani këta janë bërë mbrojtës të këtyre vlerave. Në anën tjetër nacionalisti tjetër Nikolla Gruevski mundohet ta nxehë terrenin por mendoj se është retorikë e harxhuar dhe se fjalët e tyre do ti merr era dhe do të harrohen shumë shpejtë”, tha Arsim Sinani, profesor.

Partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE që në start të fushatës është zotuar se nuk do të lejojë zbatimin e gjuhës shqipe në gjithë territorin e vendit dhe ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve më 11 dhjetor për të mos lejuar ridenfinimin e Maqedonisë. Nga ana tjetër, partia e Ali Ahmetit, pas 13 viteve në pushtet këtë fushatë e ka nisur fushatën me premtime për barazi ekonomike për shqiptarët, vendimmarrje me konsensus dhe zyrtarizmin e plotë të gjuhës shqipe.