Mundësia për shtyrjen e tyre është më se reale, vlerësojnë analistët politik në emisionin debativ.
 
“Argument” në TVM2. Analisti politik, Sefer Tahiri, thotë se zgjedhjet mund të prolongohen për shkaqe kruciale, nga mospërcaktimi i modelit për pastrim të listave zgjedhore, gjithashtu edhe nga ajo që akoma nuk është përmbyllur çështja e mediave.
 
“Nuk duhet të insistohet që të mbahen zgjedhje sa për sy e faqe. Këto zgjedhje meqë janë në njëfarë mënyre edhe njëlloj referendumi popullor se kush do të merr legjitimitetin e shqiptarëve dhe maqedonasve gjithashtu, sepse ne nuk jemi vetëm në këtë shtet, konsideroj se këto zgjedhje duhet të mbahen në mos në maksimum kushte të pastra dhe të drejta, të paktën të sigurohet një optimum, sepse për momentin nuk kemi as minimumin e parakushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike”– deklaroi analisti, Sefer Tahiri.
 
Si periudhë të mundshme të shtyrjes së zgjedhjeve, analisti, Xhelal Neziri, parashikon qershorin. Neziri thotë se kjo nuk do të thellonte krizën në rast se respektohen kërkesat e opozitës.
 
“Pa pjesëmarrjen e opozitës dhe pa plotësimin, kushtimisht thënë, të të gjitha dëshirave të opozitës në këto zgjedhje, nuk besoj se të njëjtat do të mbahen, pasi që do të thellonin krizën dhe nuk do të zgjidhnin atë. Mendoj se qershori do të jetë një muaj më i besueshëm ku mund të prolongohen zgjedhjet”– tha analisti, Xhelal Neziri.
 
Publicisti, Ahmet Selmani, shikon me optimizëm të gjithë situatën. Sipas tij, ky është vetëm fillimi i shthurjes së problemeve në vend, duke u nisur nga reformimi i mediave.
 
“Pa zhbllokimin e mediave, sepse aty do të hapet dritarja ku do të prezantohet e vërteta, do të dalin të gjitha aferat, të gjitha skandalet dhe qytetarët, atëherë do të kenë rast të shohin dhe të kuptojnë të vërtetën. Unë mendoj se këtu lufta kryesore do të bëhet. Edhe trysnia e faktorit ndërkombëtar do të bëhet këtu, që mediat njëherë e përgjithmonë të marrin frymë lirshëm”– theksoi publicisti, Ahmet Selmani.
 
Të premten është konfirmuar ardhja e eurokomisarit, Johanes Hahn, në Shkup. Analisti, Selim Ibarimi, thotë se vetëm faktori amerikan do të zhbllokonte krizën politike.
 
“Bashkimi Evropian këtu është në një konfuzion, në hallet e veta, pra shihni Gjermaninë, Austrinë, Danimarkën, do të ndikojnë se çfarë konkretisht do të ndodhë në Maqedoni. Por, unë shpresoj përsëri që rikthimi i Amerikës në Evropën Qendrore dhe në Ballkan me një diplomaci konkrete do të zbërthejë këto çështje të grumbulluara me vite”– tha analisti, Selim Ibrahimi.
 
Analistët janë të mendimit se pavarësisht kohës së mbajtjes së zgjedhjeve, dorëheqja e kryeministrit, Nikolla Gruevski, është e paevitueshme.
analista