Trajneri i Juventusit Andrea Pirlo në konferencën e sotme për shtyp ka folur për skuadrën e tij ku ka theksuar kënaqësinë e tij për angazhimin e sulmuesit Morata, sulmues që i mungonte skuadrës së tij.

“Kemi bërë një javë shumë të mirë pune, më të mirë se java e kaluar. Jemi fokusuar shumë te pjesa teknike, ndërsa pjesët e tjera nuk i kemi prekur. Nuk do të ketë turnover sepse ka kaluar vetëm një javë. Do të zgjedh lojtarët që mund të bëjnë më mirë në ndeshjen kundër Romës.”

“Gjatë kësaj periudhe kam parë te djemtë shumë dëshirë edhe pse kanë fituar nëntë kampionate radhazi. Kemi ndryshuar mënyrën e punës, kemi shtuar ngarkesën, por ka shumë dëshirë dhe entuziazëm për të punuar. Nëse edhe në të ardhmen do të jetë kështu gjërat do të shkojnë mirë.”

Ai foli edhe për dallimin në mes punës si trajner dhe si futbollist. “Puna e trajnerit është ndryshe, më përpara zbrisja në fushë dhe i merrja unë vendimet, tani zbresin ata në fushë dhe varem prej tyre dhe unë vetëm i stërvis. Motivimet dhe emocionet sigurisht që janë ndryshe.”

Pirlo u shpreh i kënaqur me angazhimin e Moratas në pozicionin e sulmuesit: “E prisnim sulmuesin dhe ai erdhi këtë javë. Morata është lojtar i rëndësishëm, di të sulmojë në thellësi, mund luajë i vetëm në repartin e sulmit por edhe me shokët e skuadrës. Nuk ishte zgjedhja e fundit, por sulmuesi me karakteristikat që po kërkonim.”

Situata me Khediran , sipas Pirlos është kjo: “Me Khedira-n kemi folur dhe bashkë me të po vlerësojmë se cila mund të jetë zgjidhja më e mirë për t’u marrë në konsideratë. Do të vlerësojmë në ditët e ardhshme dhe do të gjejmë një zgjidhje që i kënaq të dyja palët.”

Pirlo është në dyshim për angazhimin e Dybala dhe Arthur në ndeshjen kundër Romës: “Dybala këtë javë ka punuar me ngarkesë shumë të lartë pune, vjen nga dy muaj pa aktivitet dhe do të presim këtë pasdite për të vendosur nëse do ta grumbullojmë apo jo. Arthur ka punuar mirë këtë javë, edhe ai vjen nga një periudhë inaktiviteti. Ka nevojë të përshtatet në nivel fizik dhe taktik.”

Ndërkaq për largimin në huazim të mbrojtësit të majtë Pellegrini, Pirlo deklaron: “Me Pellegrini-n kemi folur dhe vendosëm që zgjidhja më e mirë ishte huazimi duke parë edhe se shpejt vjen Europiani. Këtu ndoshta nuk do t’i luante të gjitha ndeshjet që meritonte. Merkatoja? Për momentin nuk pres asgjë, por nëse del ndonjë mundësi do ta vlerësojmë.”