Seanca gjyqësore për gjykimin e aktivistit të “Revolucionit Laraman”, Pavle Bogoevski është anuluar, për më 21 dhjetor pasi që avokati i të akuzuarit, ka kërkuar kohë të përshtatshme për ta analizuar dëshminë që sot i është shtuar listës së  dëshmive, njofton Portalb.

Dëshmia është ekspertiza e Byrosë për ekspertiza gjyqësore për vlerën e dëmit të shkaktuar ndaj Ministrisë së Kulturës.

Në vend që Bogoevski, i cili është edhe kandidatë për deputetë ë listën e LSDM-së në njësinë zgjedhore numër 1, deklaratë ka dhënë kolegu i tij i “Revolucionit Laraman”, Damjan Haxhi-Angellovski.

Sipas Haxhi-Angellovskit, i cili është njëri nga dëshmitarët e mbrojtjes, me anulimin e seancës vazhdon golgota e Bogoevskit në “sistemin e korruptuar gjyqësor”.

Avokati i Bogoevskit, Sasho Dukovski, tha se ekspertizën e kanë marrë sot, edhe pse është përpunuar më 10 maj, ndërkaq në akuzë nuk është shkruar lartësia e dëmit.

“Për dallim nga seanca e kaluar, kur është kërkuar përfaqësues nga Ministria e Kulturës, sot kemi marrë dokument të shkruar për kryerjen e ekspertizës për dëmin e bërë që nuk mund ta komentoj pasi që duhet ta analizojmë dhe më pas do të dalim me qëndrim. Duhet të shihet a është relative, a është e përgatitur dhe a është e porositur nga organi kompetent, për atë do të na duhet kohë. Në lidhje me dëmin nuk do të doja të komentoj. Pash disa zero për disa objekte, por fillimisht duhet të shohim për atë se për çfarë bëhet fjalë. Gjykata nuk është fajtore për anulimin pasi që edhe ata sot e kanë marrë ekspertizën”, tha Dukovski.

Përpara fillimit të gjykimit, përpara Gjykatës Penale u mblodhën një grup qytetarësh në shenjë përkrahjeje për aktivistin Bogoevski. /Portalb