Shoqata e Ombudsmanëve të Mesdheut i kërkon organizmave ndërkombëtare për një përpjekje të përbashkët për ti dhënë zgjidhje përfundimtare tragjedisë në Alepo të Sirisë.

“AOM kërkon nga të gjitha palët që të respektohen të drejtat e njeriut dhe e drejta ndërkombëtare humanitare në rastet e konflikteve të armatosura. AOM në respekt të mbrojtjes se të drejtave të njeriut, sjell në vëmendje të organizmave ndërkombëtare që duhet të përpiqen së bashku dhe me prioritet, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj tragjedie”, thuhet në deklaratën e AOM, të kryesuar nga Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani.

Shoqata e Ombudsmanëve të Mesdheut shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen mijëra civile, mes tyre fëmijë, gra dhe të plagosur, në qytetin e Alepos në Siri. Tragjedia e Alepos konsiderohet si më e rënda ndaj popullsisë civile që nga Lufta e Dytë Botërore.