SERMET SULEJMANI

Mos më thuani vetëm se nuk kam shkruar e thënë më parë, qëmoti, se; vetëm PDSH-ja dhe BESA kanë kauzë. E para, PDSH-ja e Arben Xhaferrit kishte kauzë kombëtare, dhe ajo fatkeqësisht, edhe kur ishte ai gjallë, kurrë s’u votua mjaftueshmërisht nga shqiptarët e Maqedonisë. E saktë? Po. Kurse Lëvizja BESA, që në fillimet e saja ishte ”lëvizje” me kauzë fetare dhe neootomane. Edhe kjo e saktë? Po. Të dyjat kanë kauza. Apo jo? Varet se kush dhe si i percepton këto fenomene, nga këndi i tij politik. Dua të jem i sinqertë me ju; këta të ”Besës”, me finansa (para) apo pa to, kishin një ”ideologji” që për ne shqiptarët laikë të Maqedonisë, qe një ofertë e ngjashme dhe joshëse njësoj si të atyre xhonturqëve, që ua ofruan popujve të Ballkanit kur Turqia qe sëmurë rëndë dhe po zhdukej nga harta, pas pesëqind viteve sundim. Unë, që nga 2010- ta, ju siguroj se kam pasur informacione të sakta se kjo që po ndodh sot me Lëvizjen Islamiste në Maqedoni, s’është gjë tjetër përpos dorë e zgjatur e Turqisë për një rizgjim të ri dhe ripushtim ”të heshtur” neotoman në Ballkan. E kam ditur. Ju betohem se e kam ditur. E ç’të bëja unë dhe disa sosh, i vetëm?! Kam pasur informacione qysh atëherë se kjo pseudo-kauzë po përhapej si ideologji, si një kancer . Informacionet i kisha nga shumë miq të mi shqiptarë nga Turqia, se kjo ”lëvizje” otomane është krijesë e Davutogllut dhe Erdoanit për ”Rizgjimin Otoman” në Ballkan – rikthimin e saj. Në këto fondacione ”bëmirëse”, kanë regrutuar jeniçerë shqiptarë dhe boshnjakë, biles edhe intelektualë, që nesër ta godasin mu në zemër indin tonë – shqiptar. Nesër, mos më akuzoni për anti-islamizëm dhe të pafe, sepse s’jam i tillë, paçkase në këtë momente, kur po shoh lloj-lloj sektesh e ”dijetarë” të islamit që ligjerojnë marrëzira, për besë, s’di as unë çfarë jam?!… Dakord, unë jam musliman. Si, çfarë… me rëndësi jam musliman. Por, s’di pse s’do ”doja” t’ua them, se ne të ”pa fe-të”, pas 5-së apo 10-të viteve, po strukemi nëpër qoshe sokaqesh a shtipish, në rastin më të keq, duke ikur si sirianët e sotshëm drejt Perendimit!…