Arabia Saudite, me dekret mbretëror shkarkoi komandantët kryesorë ushtarakë, përfshirë shefin e stafit.

Mbreti Salman i zëvendësoi edhe udhëheqësit e forcave tokësore dhe të mbrojtjes ajrore.

Lajmi u publikua nga agjencia zyrtare e lajmeve Saudi Press, por nuk u dhanë detaje për shkarkimet.

Ato vijnë në kohën kur lufta në Jemen, ku Arabia Saudite po udhëheq një koalicion kundër rebelëve, po i afrohet fundit të vitit të tretë.

Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, i cili është edhe ministër i Mbrojtjes, besohet se qëndron pas ndryshimeve të fundit në këtë vend, transmeton Evropa e Lirë.

Vitin e kaluar, dhjetëra figura të shquara saudite, përfshirë princa, ministra dhe miliarderë, janë arrestuar nën akuzat për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit.