Sekretari i LR-PDSH-së, Arben Taravari ka komentuar gjendjen në Partinë Demokratike Shqiptare dhe Lëvizjen për Reforma PDSH ku ka bërë thirrje që pas dorëheqjes së Menduh Thaçit anëtarët e dy partive të bashkohen në një parti.
Taravari ka komentuar edhe për bashkëpunimin në mes partive shqiptare.
”Sot është duke rrahur në ajër një presion për koalicione partiake, por askush nuk flet për Bashkim Partiak. Në fakt në politikën vullkanike të Maqedonisë që duket se do të shpërthejë nga momenti në moment, nuk është aspak e lehtë të gjesh parti që duan të bashkohen, por rasti i Partisë Demokratike Shqiptare dhe Lëvizjes për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare është një rast i veçantë, pasi këto dy parti janë padyshim pjesë integrale e njëra tjetrës.
Me ndryshimet e fundit që kanë ndodhur në PDSH, besoj se është momenti që njerëzit e PDSH-së dhe LR-PDSH-së të jenë anëtarë të një partie të vetme.
Natyralisht ne jemi anëtarë të një partie të vetme, jemi ata të cilët janë përpjekur dhe do vazhdojnë, për të qenë një opsion dinjitoz për Shqiptarët.
Do të jemi ajo që kemi ëndërruar gjithnjë të jemi: Një parti, Një ideal, Një popull.” ka shkruar Taravari.