Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i është kundërpërgjigjur ministrit të arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi pas letrës së tij të shpërndarë nëpër shkolla lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor, përcjellë INA.>

Ja përgjigja e plotë e Taravarit:

Ministri i Arsimit, z.Ademi, ka dalë me një mesazh shumë të veçantë në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ai ka thënë:
“Të hënën është dita e parë mësimore, është ditë feste dhe e rëndësishme posaçërisht për ata që për herë të parë regjistrohen nëpër shkolla, nuk ka kushte për grevë dhe ne do të gjejmë zgjidhje”.
Domethënë sipas djaloshit që siç duket mësuesit i shikon si fëmijë të padisiplinuar, ndaj përdor edhe fjali të tipit përfundimtar “nuk ka kushte për grevë”, e hëna e 2 shtatorit duhet të jetë një ditë feste, një ditë gëzimi e lumturie. Këtë atmosferë idilike ministri e do me çdo kusht, duke i thënë të gjithë mësuesëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut- Rrini urtë! Unë jam ministri dhe bëhet çfarë them unë! Nuk ka grevë dhe pikë!
Arroganca e tij ndoshta e pavullnetshme vazhdon me cinizëm që e ka si pjesë e ADN-së partiake, kur thotë: “ne do të gjejmë zgjidhje….”
Çfarë zgjidhje z.ministër?! Ndoshta ju duken kaq të pavlerë mësuesit sa guxoni t’i tallni deri në këto pika?!
Kaq pak seriozisht i merrni sa nuk merrni mundimin të deklaroni gatishmërinë tuaj për të qenë krahu i mësuesëve?!
Apo do vazhdoni me lojën e vjetër të BDI-së, që të aktivizoni mjetet e rryshfetit, duke bërë që ata mësues që ende i përdorni si vegla, t’u bindin dhe të shkaktojnë përçarje?!
Po sa të tillë ju kanë mbetur?!
Sa burra dhe gra që të drejtën e punësimit ja keni shitur si e nder partiak, do ju binden ju, duke tradhëtuar kolegët e tyre, duke tradhëtuar komunitetin e tyre, duke tradhëtuar veten e tyre?!
Sa mësues që BDI-ja pretendon t’i përdorë do binden që të quhen tradhëtarë, që të bëhen shkak që ende të urdhërohen publikisht nga ministra, të urdhërohen publikisht, pa asnjë skrupull?!
Të hënën, në 2 shtator, duhej të ishte dita e parë e shkollës, duhet të ishte ditë feste, ditë gëzimi, por në fakt është dita që ose do të shënojë fillimin e Betejës së shumëpritur, atë që unë e kam quajtur Beteja e Dinjitetit, ku më në fund mësimdhënësit do të guxojnë të vendosin respektin e tyre në vend, ose do të datojë si një nga ditët e shumta të krimit politik!
E dini pse?
Se ēshtë krim të trajtosh mësuesit si janë trajtuar deri më sot!
Mësues që janë rrahur, kërcënuar, tallur, përqeshur e nëpërkëmbur si në asnjë rast tjetër!
Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në botë ku bullizmi që po shqetëson Perëndimin si një fenomen ku tallen dhe nëpërkëmben fëmijët nga fëmijët, këtu tek ne bullizmi bëhet nga pushteti tek mësuesit!
Sindikata e tyre ka deklaruar se të hënën ka grevë, sepse kërkojnë rritje rrogash me 25%, ministri del dhe ju thotë: nuk keni për të mbajt grevë, do merremi vesh bashkë- njësoj si kërcënojmë fëmijët kur bëjnë ndonjë prapësi- do merremi vesh në shtëpi!!!
Kaq keq janë katandisur mësuesit për Qeverinë?! Kaq të blerë i dinë?! Kaq të përulur dhe frikacakë sa të tolerojnë sjelljen arrogante të një djaloshi i cili është ulur në karrigen e gabuar?!
Të hënën mësuesit kanë deklaruar grevë, shpresojmë dhe urojmë që kjo grevë të mbahet, sepse jemi dakort dhe të lumtur që paga mujore e tyre të rritet!
Ftojmë çdo prind që çon fëmijën për herë të parë në shkollë, dhe të gjithë prindërit e tjerë, që t’i mbështesin mësuesit në kërkesën e tyre, të mos çojnë fëmijët në shkolla derisa ato shkolla të mbushen me mësues të lumtur, të aftë, të përgjegjshëm!
Fëmijët tanë meritojnë mësues të respektuar!
Fëmijët tanë nuk duan të jenë viktima të një politike ordinere, politike të paarsimuar dhe të paedukuar, e cila mendon se gjithçka mund të blehet!”, nënvizohet në fund të letrës së Taravarit. (INA)