Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi është përgjigjur në lidhje me largimin ekspozitës së disa fotografive, e cila gjatë ditës së djeshme u vendos në qendër të Tetovës.

Arifi thotë se ajo çdo herë ka qenë pro lirisë së shprehjes dhe demokracisë, duke shtuar se për shkak të agjendës së ngjeshur dje nuk ka arritur ta shqyrtojë këtë çështje, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Çështjet e shprehjes së lirë janë vlera demokratike dhe ajo është një formë e shprehjes së mendimeve. Në fakt si komunë mbetemi e hapur dhe transparente. Meqenëse se agjenda jonë dje dhe sot ka qenë e mbingarkuar për të parë nëse ka pasur shqetësim të mundshëm, ne atë do ta shqyrtojmë dhe do ta zgjidhim në kuadër të asaj që është shprehje e lirë dhe demokraci e mirëfilltë. Unë jam demokrate me bindje dhe jo deklarative”, tha mes tjerash Arifi.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme “Eco Guerilla”, së bashku me Qendrën “Loja” dhe “Transformatorët rajonal”, vendosën ekspozitë me disa fotografi që siç thanë ata, ishin premtimet e parealizuara nga Komuna e Tetovës dhe kryetarja Teuta Arifi.

Ndërsa gjithnjë sipas tyre, vetëm gjysmë ore pasi u vendos ekspozita, persona të punësuar në komunë e kanë larguar ekspozitën.