Derisa LSDM ka shigjetuar komunat shqiptare dhe bëhet gati që edhe në zgjedhjet lokale të grumbullojë sërish vota të atyre që i besojnë konceptit qytetar të Zoran Zaevit, Lëvizja BESA është hedhur në ofanzivë. Derisa vëmendjen e opinionit e kanë rrëmbyer komunat e mëdha, siç janë Tetova, Çairi, Struga, Gostivari e Kumanova, larg syve të publikut, gradualisht por sigurtë Lëvizja BESA ka shtrirë strukturat e saj në komunë e Haraçinës.

Të dëshpëruar deri në skajshmëri nga pushteti lokal i udhëhequr nga BDI, të lënë në mëshirën e Zotit pas vërshimeve që prekën në masë të madhe këtë komunë të banuar me shumicë shqiptare, kushtet në komunën e Haraçinës janë të mjera. Mungon uji, kanalizimi, infrastruktura rrugore, ndërsa shkollat dhe kushtet që ofrohen aty janë të mjerueshme. Ka qenë pikërisht fatkeqësia që e ka shkaktuar neglizhenca e pushtetit, ajo që ka shfrytëzuar LSDM në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ndihmën eventuale e kishte kushtëzuar me votë.

Për haraçinasit mund të kishte shpresë, por ajo ishte e kushtëzuar: duhej t’i nënshtroheshin “padronit maqedonas”. Të indinjuar nga ky kushtëzim, të lodhur nga shpërfillja totale e pushtetit për vite me radhë, banorët e komunës që pësoi më së shumti gjatë periudhës së konfliktit, kanë filluar mobilizimin e heshtur.

Përfolja e kandidaturës së Ali Ismailit, ekspertit të njohur të teknologjisë informative, drejtorit të Departamentit për Administratë dhe Teknologji Informative, kanë bërë që haraçinasit ta shohin me shpresë kandidimin e tij.