Rastin e lirimit nga paraburgimi të shefes së Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Katica Janeva, partiaopozitare Aleanca për Shqiptarët (ASh) e sheh si arsye më shumë që Procesit të Vetingut t’i nënshtrohen gjykatësit, prokurorët dhe zyrtarët, transmeton Portalb.mk.

“Kjo është një arsye më shumë që sistemi i drejtësisë duhet të reformohet urgjentisht, dhe të gjithë gjykatësit, prokurorët por edhe zyrtarët publik t’i nënshtrohen procesit të vetingut, dhe të mbajnë llogari për kredibilitetin e tyre profesional dhe moral. Ky sistem drejtësie, me gjykatës dhe prokuror partiak, të zgjedhur nga zyrat partiake VMRO-BDI-LSDM po bëhen pengesa kryesore që rrezikon jetën e mirëfilltë në vend, sigurinë e qytetarëve si dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE”, thanë nga ASh-ja.

Sipas tyre, kjo duhet të ndodh ngaqë rasti “Reket” përfundimisht fundosi kredibilitetin e Prokurorisë Publike Speciale.

ASh-ja ka reaguar edhe ndaj Gjykatës së Apelit, pasi sipas tyre “ka pasur dhjetëra raste të të burgosurve shqiptar për raste të montuara politike, ndaj të cilëve po e njëjta Gjykatë ka refuzuar të jep masën e arrestit shtëpiak”.