Unioni i nxënësve të shkollave të mesme dhe Ministria e Arsimit arritën marrëveshje që matura shtetërore të ketë katër testime, 2 eksterne dhe 2 interne. Por kjo është vetëm njëra pjesë e marrëveshjes, pasi siç thotë i pari i Unionit, Blendi Hodai bisedimet ende po vazhdojnë dhe se kërkesë tjetër e tyre është që në provimet interne, nota mesatare të përllogaritet nga rezultati i katër viteve mësimore.

“Unioni i ka thënë qëndrimet e veta në kumtesën e mbrëmshme. Jemi të kënaqur me atë që edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka mbështetur kompromisin. Presim bisedimet të vazhdojnë sonte, pas së cilës do të dihen të gjitha detajet”, theksoi Blendi Hodai – Kryetar i UNSHM-së.

Nga ministria informuan se Këshilli i Maturës Shtetërore e pranoi propozimin që matura shtetërore të përbëhet nga dy provime eksterne, dy provime interne dhe detyrë projektuese.

“Në ditët e ardhshme këshilli do të duhet të përgatisë propozim të ri të konceptit. Në takim u theksua se me këtë koncept të dhënies së provimit nuk dëmtohet cilësia e maturës, ruhet standardi dhe është në interes të të gjithë maturantëve”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Nga UNSHM kanë sqaruar se ky kompromis parashikon realizimin e dy provimeve eksterne dhe dy interne, që do të thotë se provimi i tretë ekstern do të transformohet në intern. Gjithashtu përfshin ndryshime në mënyrën e marrjes së pikëve për maturën shtetërore, kështu që provimet eksterne do të sjellin maksimumi 20 pikë (në vend të 30 – që aktualisht është), ndërsa provimet interne maksimumi 16 pikë (në vend të 6 pikëve aktuale) dhe detyra projektuese do të vazhdojë të sjellë maksimumi 4 pikë. Por nga ana tjetër për marrëveshjen e arritur mes Ministrisë së Arsimit dhe UNSHM-së nuk kanë mbetur të gjithë nxënësit të kënaqur, një gjë që është vërejtur nga reagimet e tyre nëpër rrjetet sociale.