Dy kuti me 20 mijë vaksina “Sputnik V”, arritën në Shkup si dhuratë nga Serbia.

Për t’i pritur, përballë Institutit për mjekësi transfuzive, doli kryeministri Zoran Zaev me ministrin e shëndetësisë Venko Filipçen, të shoqëruar nga personeli mjekësor.

Të dy pohuan se kjo ndihmë po vjen në periudhë shumë me rëndësi për vazhdimin e vaksinimit masiv në vend.

“Me këtë mundësojmë vazhdimësi të tashmë procesit të nisur të imunizimit dhe nisje më të shpejtë në kyçjen e grupeve më të mëdha nga infrastruktura kritike, në përputhje me planin tonë nacional për imunizim. Tani kur janë të disponueshme në vendin tonë edhe këto vaksina, rreth 5 mijë parapraket nga AstraZeneka i kyçim në sistemin ekzistues”, deklaroi Filipçe.

Këto 20 mijë janë vetëm kuota e parë, më vonë do të vijë edhe e dyta, tregoi kryeministri Zaev.

I pyetur se çfarë mendon për faktin që më shumë se gjysma e vaksinave Maqedonia i ka marrë përmes donacioneve, ai tregoi se nga vaksinat e blera, deri më tani kemi marrë 2 herë nga 3 mijë vaksina Sputnik, ndërsa kemi edhe 24 mijë nga mekanizmi Kovaks. Të tjerat ende priten të vijnë.

“Presim gjatë këtij muaji të arrijnë 20 ose 25 mijë vaksina, të parat nga Bashkimi Evropian, prej gjithsej 100 mijë vaksinave. Presim të arrijnë të gjitha 200 mijë vaksinat kineze gjatë prillit. Presim që sasitë e ardhshme, nuk e di, 10, 20, 30 mijë nga Sputnik, ndoshta më saktë numrat do t’i dimë këto ditë. Presim gjatë prillit të arrijnë edhe vaksinat Fajzer, për të cilat e dini se kemi 80 mijë Fajzer dhe 80 mijë vaksina Kovaks që janë porositur”, u përgjigj Zaevi,

Kryeministri beson se në maj do të arrijnë sasitë shtesë që janë më të mëdha në numër. Me shumë gjasa do të realizohet edhe furnizimi për sasitë e ardhshme nga Kina, tha ai, duke sqaruar se mbrëmë është vendosur për porositjen edhe të 500 mijë vaksinave Sinovak. Me këtë Zaev thotë se do të rrumbullakohet shifra me 2,6 milionë vaksina, me të cilat do të vaksinoheshin 1,3 milionë qytetarë.