Arriti në Shkup propozimi francez për zhbllokimin e rrugës së shtetit drejt BE-së, gjegjësisht për heqjen e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Presidenti i Francës, Emanuel Makron, ka deklaruar se është gjetur një zgjidhje e mirë për kontestin mes Sofjes dhe Shkupit zyrtarë, zgjidhje e cila do të hapte rrugën e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian. Makron këtë e deklaroi në Samitin e NATO-s në Madrid, ku shtoi se ditëve në vijim pret shqyrtim të këtij propozimi nga të dy vendet.

“Mund të them se është gjetur kompromis, një kompromis që është në përputhje me të dyja palët dhe besoj se është i pranueshëm. Në ditët në vijim, të dyja palët do ta konfirmojnë këtë. Presidenti dhe kryeministri bullgar tashmë e kanë mbështetur propozimin francez dhe do të ketë diskutime në ditët në vijim në Shkup. Kjo është e rëndësishme për sigurinë, stabilitetin dhe se e kaluara mund të tejkalohet”.- deklaroi Emanuel Makron, President i Francës.

Qeveria vetëm konfirmoi se propozimi përfundimtarë francez mbështet pozicionet dhe qëndrimet e Maqedonisë në kontestin me Bullgarinë, por pa dhënë informacione konkrete mbi propozimin.

“Kjo përfaqëson bazë për hapjen e procesit konsultues së pari në Qeveri dhe partnerët e koalicionit dhe më pas edhe me Presidentin e shtetit, me Kuvendin dhe me opozitën, si dhe me sektorin civil, si dhe opinionin të ekspertëve në vend. Siç premtuam, vendimin për të ardhmen tonë do ta sjellim bashkërisht, me meritë, sipas interesave strategjike të vendit dhe të gjithë qytetarëve të saj.”- thonë nga qeveria e RMV-së.

I pari i shtetit në një intervistë për televizionin Sitel pranoi se në shikim të parë ky propozim është shumë më i mirë se ai i vjetri. Megjithatë përfundoi se mbi propozimin do të duhet të deklarohen edhe faktorët tjerë në vend.

“Mundem vetëm të ju them se propozimi francez i modifikuar është shumë më i mirë për ne, se sa i kaluari. A është mjaftueshëm i mirë, për momentin do të përmbahem sepse dua që kjo të ketë një konsultim më të gjerë, të cilin fatkeqësisht me rekomandim të aleatëve tanë nuk e bëmë herën e kaluar që të mos e rrezikojmë ndjeshmërinë e procesit. Na duhet t’i informojmë qytetarët, subjektet politike sepse po mundohemi të bëjmë marrëveshje që do të zgjasë”.- deklaroi Stevo Pendarovski, President I RMV-së.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel përmes një shkrimi në Tuitter thotë se propozimi i përfshin shqetësimet e palës maqedonase, ndërsa thekson se tani është koha që ky propozim të pranohet. Kryeministri Kovaçevski ditë më parë tha se një propozim do të ishte i pranueshëm nëse në të parashihet mbrojtja e gjuhës dhe identiteti maqedonas, çështje historike të mos përfshihen në kornizën negociuese dhe nisja e negociatave të mos kushtëzohet me futjen e bullgarëve në Kushtetutë.